Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCOS, i mbledhur në Krakovë të Polonisë, tha se miratoi zgjerimin e zonës së Trashëgimisë Botërore të pyjeve të vjetër të Ahut me dy zona nga Shqipëria. Zona e Lumit të Gashit në Tropojë dhe Zona e Rrajcës në Përrenjas janë përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Pyjet e Ahut në Rrajcë janë pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, i cili është kthyer tashmë në një destinacion turistik në Juglindje të Shqipërisë. Ndërsa Zona e Mbrojtur “Lumi i Gashit ishte përfshirë nga autoritetet shqiptare si Rezervë Strikte Natyrore kategoria I-rë, IUCN, në vitin 1996, raporton Zëri i Amerikës.
Zona ka një sipërfaqe prej 3.000 ha dhe është e vendosur në verilindje të Alpeve Shqiptare në Qarkun e Kukësit, rrethi i Tropojës, larg qendrës së banuar. Studiues të njohur shqiptarë të natyrës dhe Agjencitë e Zonave të Mbrojtura në Kukës dhe Elbasan punuan për dosjen e dy zonave natyrore shqiptare që tashmë do të mbrohen nga UNESCO.
Sipas studiuesve shqiptarë këto zona përfaqësojnë aktualisht ‘ishujt’ e fundit me pyje të virgjëra natyrore që kanë mbetur në Shqipëri. Në Listën e Pasurive Botërore të UNESCO-s janë përfshirë nga Shqipëria Qyteti Antik i Butrintit, Qytetet historike të Gjirokastrës dhe Beratit, që mbrohen në seri, si dhe në Pasurinë Gojore Botërore është pranuar edhe Isopolifonia shqiptare.
Shqipëria pritet të dorëzojë në UNESCO edhe dosjen për emërimin e pjesës shqiptare të Liqenit të Ohrit pasi pjesa maqedonase e këtij liqeni, ku ndodhen edhe dy të tretat e sipërfaqes, është pjesë e Trashëgimisë Botërore që prej vitit 1979.