Ylli i Real Madridit dhe Kombëtares së Turqisë, Arda Guler ka bërë një deklaratë lidhur me pretendimet se do të largohet nga klubi Los Blancos.
Arda Guler debutoi më 6 janar në ndeshjen e Copa del Rey mes Real Madrid dhe Arandina. Përtej kësaj, ai luajti vetëm pak minuta në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës ndaj Atletico Madridit.
Të dielën e kaluar, lojtari turk pritej të dilte në fushë kundër Almerias dhe kështu të kishte debutimin e tij në Santiago Bernabeu.
Megjithatë, Carlo Ancelotti vendosi të bënte vetëm rrotullime dhe më pas dimë gjithçka që ndodhi: fitorja u ndërlikua dhe italiani zgjodhi të inkuadronte Dani Ceballos.
Ky vendim bëri që ish-lojtari i Fenerbahces të mërzitej dhe të hidhte në mënyrë të vrazhdë ‘pancirin’ me të cilin po ngrohej.
Megjithatë, pavarësisht informacioneve që dolën dje, mediumi Defensa Central ka raportuar se Guler nuk dëshiron të largohet nga Real Madridi, pasi i është shumë mirënjohës klubit që e ka pritur deri tani.
“Unë do të bëj më të mirën që ta bëjë Carlo Ancelotti të më besojë. Nuk do të largohem nga Real Madridi tani”, u ka thënë lojtari njerëzve brenda klubit.
Prandaj, tifozët e Real Madridit duhet të jenë të durueshëm dhe të presin. Ky lojtar ka të gjitha mundësitë për të shkuar larg. /Telegrafi/