Telegrafi

UNË KAM PARË SHUMË…

Poezi nga: Jacques Prevert
Përktheu: Emil Asdurian

Unë kam parë dikë ulur mbi kapelën e një tjetri
ish i zbehtë
dridhej
priste diçka… s’ka rëndësi se çfarë…
luftën… fundin e botës…
për të ishte absolutisht e pamundur të bënte një shenjë ose ti
fliste
tjetrit
tjetrit që kërkonte kapelën e “tij” ishte edhe më
i zbehtë
dridhej dhe ai
dhe nuk pushonte së përsërituri:
kapelja ime… kapelja ime…
dhe të qante kish dëshirë
Kam parë një që lexonte gazetën
kam parë një që nderonte flamurin
kam parë një që qe veshur me të zeza
kishte një orë
një zinxhir ore
një mbajtëse të hollash
medaljen urdhërin e nderit
dhe një palë gjyslykë të kapura maje hundës.
Kam parë një që të birin tërhiqte prej dore
e thërriste…
kam parë një që kishte një qen
kam parë një që kishte një bastun-shpatë
kam parë një që qante
kam parë një që hyri në kishë
kam parë një që doli prej saj…