Telegrafi

Unë jam vajzë e trashë!

Pesha mesatare e manekineve është 20% më e vogël se pesha e rekomanduar, dhe kjo lë të kuptohet se industria e modës përcakton parametrat e dukjes së vajzave të reja edhe në jetën e përditshme.
Nëse pesha e rekomanduar në një grupmoshë të caktuar është 60 kilogramë, manekinet do të kenë më pak se 48 kilogramë. Pse ndodh kështu? Ekzistojnë shumë përgjigje për këtë, ndërsa shumica e manekineve e mohojnë të vërtetën duke thënë se “është pasojë e predispozitave gjenetike dhe metabolizmit të shpejtë”. Që në fakt është konsumimi i vetëm disa ‘gjetheve’ të sallatës dhe ujit!
Për këtë arsye nuk duhet të na çudisë fakti që punëtorët shëndetësorë vazhdimisht po shqetësohen për numrin e madh të vajzave të reja që vuajnë nga anoreksia.

Çfarë thotë mjekësia?

Anoreksia mentale më së shpeshti paraqitet te femrat sesa te meshkujt, dhe atë më shpesh në pubertet dhe rininë e hershme. Fillimi është zakonisht i lidhur me dëshirën për të humbur në peshë, për shkak të arsyeve estetike dhe narcistike, po ashtu mund ta shkaktojnë edhe streset emotive dhe shqetësimet psikike.
Fillimi është gradual, në të shumtën e rasteve me zvogëlimin sasisë së ushqimit që konsumohet, pastaj ankohen në problemet me tretje, fryrje të barkut etj. Thonë që nuk kanë apetit, nuk kanë uri dhe ndjehen më mirë kur nuk hanë. Nëse prindërit insistojnë në marrjen e ushqimit, atëherë mund ta hanë të gjithë ushqimin, por pastaj do ta vjellin qëllimisht.

Nganjëherë ndodh që dëshira për ushqim të jetë e pranishme, mirëpo vajza/djali me vetëdije nuk e merr atë, dhe organizmi përshtatet me kushtet e reja duke zvogëluar nevojën për ushqim, dhe në këtë mënyrë vjen deri te humbja e apetitit. Përshtatja e organizmit në rrethanat e reja vazhdon me ndryshimin e gjendjes shpirtërore, ku është gjithnjë më e shprehur apatia, depresioni dhe frika. Kontaktet me shoqërinë dhe interesi për gjërat që e rrethojnë, zvogëlohen, ndërsa raportet me prindërit janë përplot agresivitet. Disa të rinj, sidomos vajzat, merren edhe me aktivitet fizik me qëllim që ta shpenzojnë “energjinë e tepërt” dhe në këtë mënyrë edhe më shumë të bien në peshë.

Anoreksinë e rëndë dhe kronike e përcjellin simptoma të ndryshme: nga dobësimi trupor që mund të jetë drastik; tharja, plasaritja, luspimi dhe lëshimi i lëkurës; qarkullimi i dobët i gjakut nëpër ekstremitete; flokët bëhen të thyeshme; ngadalësohet pulsi dhe paraqiten ndryshime drastike në pasqyrën e gjakut.
Njëra nga pasojat e rënda është zvogëlimi i prodhimit të hormonit folikulostimulues, që për pasojë ka ndryshimin e funksionit të vezoreve, atrofinë e mukozës së vaginës dhe ndërprerjen e menstruacioneve. Nëse ky problem ndodh në pubertet, atëherë mund të ngadalësohet edhe zhvillimi i organeve seksuale dhe rritja në përgjithësi.
Disa analiza kanë treguar se për shkak të mungesës së zinkut, pacientët humbin ndjenjën e shijes, dhe për këtë arsye mbeten pa apetit. Te këta të sëmurë është i ulët edhe niveli i magnezit.
Përveç frikës nga konsumimi i ushqimit, personat anoreksikë kanë frikë edhe nga afërsia emocionale dhe trupore me partnerin ose miqtë. Femrat anoreksike kanë veçanërisht vështirësi në kontaktet dhe komunikimet me femrat tjera, sepse trupi i tyre nuk është në përmasat IDEALE.

Si t’i njohim çrregullimet e ushqyerjes?

Disa nga shenjat hershme:
• konsumimi i sasisë së vogël të ushqimit ose refuzimi i tij
• humbja e shpejtë në peshë pa ndonjë arsye të njohur
• frika e madhe për fitim në peshë
• ushtrimet e shpeshta
• ngrënia në fshehtësi
• largimi i menjëhershëm nga tavolina pas ngrënies dhe shkuarja në banjë
• oscilime të mëdha në peshë
• ndërprerja e menstruacioneve
• vartësia në laksativë, diuretikë apo pilula dietetike

Çrregullimet tjera të ushqyerjes

Bulimia nervosa është çrregullim, i cili manifestohet me episode të shpeshta të ngrënies së tepërt, së paku dy herë në javë, që përcillet me vjellje të provokuara (ose marrjen e preparateve për pastrimin menjëhershëm të ushqimit) nën ndikimin e fuqishëm të ndjenjës së fajit dhe turpit. Shumë shpesh ndodh ndërrimi ciklik i episodeve bulimike dhe anoreksike.
Binge eating është formë e pakontrolluar e konsumimit të sasive të mëdha të ushqimit, zakonisht fshehurazi duke mos shkaktuar vjellje.

Çrregullimet e ushqyerjes janë sëmundje, të cilat më së sheshti paraqiten te personat ndërmjet moshave 15 dhe 30 vjeç. Po ashtu, ekziston një numër i madh prej tyre të cilët kanë probleme kronike, siç është vartësia nga pilulat dietetike, laksativët, diuretikët, dietat e ndryshme etj.

Si mjekohen çrregullimet e ushqyerjes?
Duke qenë se shkaktarët e këtyre çrregullimeve janë kompleksë, edhe mjekimi është i tillë, dhe përfshin:
– Psikoterapinë
– Terapinë familjare
– Dietoterapinë psikofamiljare
– Ndryshimin e sjelljes
– Barnat

Problemi kryesor qëndron në faktin se vëmendja e të sëmurit është e orientuar në mënyrë absolute në kontrollimin e epshit të ngrënies dhe aktiviteteve shoqëruese, të cilat i maskojnë pasojat e pritura nga kjo sjellje (p.sh. normalisht duhet që personi anoreksik të jetë i dobët fizikisht, ndërsa ai e maskon gjendjen e vet duke qenë shumë aktiv).
Më tutje, qëllimi i veprimit të psikoterapisë bazohet në largimin e fokusimit nga ky problem dhe orientimin e tij në diçka tjetër. Meqenëse individi është vazhdimisht i preokupuar me këtë problem, “mbyllet” në botën e tij dhe interesi i tij nuk përshtatet me atë të personave rreth tij.
Prandaj, shoqërimi, kontakti dhe kuptimi nga ana e rrethit kanë rëndësi të madhe në mjekimin e kësaj sëmundjeje mjaft të komplikuar. /Telegrafi/