Site icon Telegrafi

“Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqipëria!”

Seç pritej të çelnin lulet e kuqe. Në mëngjesin e 27-ës, në sheshin e Bashkisë së Bostonit, ishin mbledhur plot bashkëkombës që bënin sytë katër të dëgjonin tek flitej shqipja e Shqipërisë së madhe. Pas pak u dëgjua zëri i Ada Kokoshit, sekretares së Shoqatës Amerikano-Shqiptare “Besa” (MAAS BESA), duke tërhequr vëmendjen me hapjen e një feste të shumëpritur dhe atë veshjen e bukur të trojeve tona. Ajo foli mbi arritjet e shoqatës, duke përfshirë darkën e suksesshme me kryetarin e Bashkisë së Bostonit, Thomas Menino, ku u diskutua zhvillimi i komunitetit shqiptar në Boston si dhe në tërësi të Massachusetts, lëvizjet e shkollës së gjuhës dhe trashëgimisë shqipe,“Besa”, në ambientet e Universitetit “UMass” me ndihmën e klubit të studenteve shqiptare që vazhdojnë studimet aty, si dhe krijimin e grupit të profesionisteve të rinj, ku mbahen takime për zhvillimin e rrjeteve profesionale midis shqiptarëve të cilët kanë mbaruar universitetin dhe punojnë në kompani të ndryshme në Boston. Më pas, radha i erdhi Albana Orgockes dhe Nerejdea Priftit, të cilat ringjallen momentet e bukura e të qenit të lirë, përmes leximit të deklaratës së pavarësisë së Shqipërisë, e dhënë nga qeveritari, Devel Patrick.

Sa hijeshi kishte të shihje atë flamurin tek ngrihej në qiell e kthehej mu tek zemrat e atyre që e ndjenin vërtetë. Bukurinë dhe zotërinë i shtonte zotëri Bashkim Braho, koreograf i grupit të vallëzimit, “Bashkimi” në Boston, i cili ka punuar dhe vazhdon të punojë në pasurimin dhe ruajtjen e kulturës shqiptare përmes përgatitjeve të grupit dhe sukseseve të shumta jo vetëm në Boston, por në tërë Amerikën. Ia vlen të përmendim një nga çmimet më të fundit të grupit të vallëzimit “Bashkimi”, si grupi më i mirë në Festivalin Shqiptar vjetor të New Yorku-t. Gjersa ngritnim kokat të shihnim valimin e tij, tenori Guri Stefan recitonte poezinë “Flamuri” të Fan S. Nolit, e shoqëruar me himnin shqiptar që zgjoi sheshin e Bashkisë së Bostonit. Ai zë i jepte jetë asaj që ne e jetuam dhe vazhdojmë ta jetojmë ndër shekuj, atdhedashurinë, të cilën edhe i madhi Sami Frashri e emëron si “topi që shkatërron kalatë më të forta dhe kalaja që mund t’u qëndrojë topave më të fortë.” Medoemos ia vlente të dëgjoje edhe zotëri Sami Ajedinin, i cili recitoi një poezi të shkruar vetë, ku falënderonte Amerikën për mundësitë që i ka dhënë komunitetit shqiptar. Mbusheshin fytyrat me buzëqeshje kur dëgjonim ato fjalë të gdhendura mirë, sidomos që ishin të thëna nga një xhaxha i flakte për mbajtjen e miqësisë dhe pasurisë ndërshekullore.

Atë ditë, si gjithë herëve të tjera, grupi i valleve “Bashkimi”, shfaqte vëllazërimin nëpërmjet valltareve të cilët ashtu të kapur dore për dore, hidhnin hapat e lehtë duke shënuar paqësoren, dhe hapat e rendë duke shënuar fuqinë dem baba dem. Vallja u shoqërua edhe nga shumë shqiptarë të tjerë, të cilëve pa dyshim u vlonte gjak i kuq ndër dej, kurse shqiponjën e zeze e mbanin rreth krahëve. Tingujt e bukur, zërat brohoritës dhe trupat shtathedhur, linin shenja të asaj se “Jemi një”. Për fund, për t’i dhënë emër e zemër festes, i pranishëm ishte edhe grupi polifonik i Bostonit, i përberë nga Petrit Alibeaj, Vangjel Gerdhuqi, Kostandin Mertiri, Altin Gerdhuqi dhe Sami Ajdini, që sollën historinë e Ismail Qemalit me këngën “Për liri e për flamur.” Ata na kthyen tek koha e plakut mjekërbardhë, që bashkë me shokë ktheu në vend ato që i takonin Shqipërisë, vatanet ku mund të preheshin të qeta lulet e kuqe, një e nga një.

Uroj ta gëzojmë Nëntorin e madh, gjithmonë duke rikujtuar këto vargje të Gjergj Fishtës,

“Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí,
Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera”.

(Autorja është studente e Arkitekturës ne Boston)

Exit mobile version