Site icon Telegrafi

“Unë jam gjallë, nuk është ende vonë”, gjermani i dënuar me vdekje në Bjellorusi kërkon ndihmë përmes televizionit shtetëror

Një gjerman i dënuar me vdekje në Bjellorusi është shfaqur në televizionin shtetëror të atij vendi i përlotur duke iu lutur qeverisë gjermane që të ndërhyjë në rastin e tij.

“Scholz, ju lutem, unë jam ende gjallë, nuk është ende vonë”, tha Rico Krieger, i cili i bëri thirrje kancelarit gjerman i prangosur brenda qelisë.

Bëhet e ditur se autoritetet në Bjellorusi, një shtet diktatorial ku torturat dhe gjyqet e politizuara janë të përhapura, pretendojnë se Krieger, 30 vjeç, udhëtoi për në vend vjeshtën e kaluar me urdhër të inteligjencës ukrainase, me qëllimin për të kryer një sulm terrorist në një linjë hekurudhore.

“Ky ishte gabimi më i madh i jetës sime. Unë e pranoj fajin tim, pa dyshim”, tha Krieger në një pjesë të intervistës, në disa pjesë të së cilës ai shpërthen në të qara.

“Unë me të vërtetë shpresoj që presidenti Lukashenko do të më falë. Më vjen shumë keq për atë që bëra dhe ndihem i lehtësuar që nuk ka pasur viktima”, shtoi Krieger në televizionin publik bjellorus drejtuar presidentit Alexander Lukashenko.

KGB, siç njihet ende shërbimi sekret bjellorus, ka një histori të falsifikimit të provave dhe nxjerrjes së rrëfimeve duke hedhur dyshime mbi besueshmërinë e pretendimeve të bëra në program.

Siç raportohet, nuk u dha asnjë provë mbështetëse për krimet e supozuara të Krieger.

Sipas një profili të LinkedIn, Krieger ka punuar më parë si punonjës mjekësor për Kryqin e Kuq Gjerman dhe si oficer sigurie në ambasadën amerikane në Berlin, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

Kryqi i Kuq konfirmoi se ai kishte punuar atje dhe gazeta e përditshme gjermane Tagesspiegel citoi një ish-koleg nga organizata duke thënë se Krieger u kishte thënë atyre se ishte rekrutuar për të udhëtuar në Ukrainë.

“Ne të gjithë supozuam se ai po shkonte si mjek”, tha ish-kolegu i tij.

Lexo po ashtu Bjellorusia dënon me vdekje një gjerman

Krieger tha se ishte motivuar të punonte për Ukrainën pasi kishte lexuar në lajme për luftën e Rusisë në vend dhe se atij i ishte dhënë një detyrë për t’u kryer në Bjellorusi përpara se të udhëtonte në Ukrainë.

Programi pretendonte se ai bëri disa fotografi të vendeve të ndjeshme dhe më pas vendosi një çantë shpine me eksploziv pranë një hekurudhe. Thuhet se shpërthimi i mëvonshëm nuk ka lënduar askënd.

Ndryshe, Bjellorusia është i vetmi vend evropian që ruan dënimin me vdekje. Dënimet kryhen me një plumb të vetëm në pjesën e pasme të kokës.

Është e mundur që Bjellorusia, një aleate e ngushtë e Rusisë, shpreson të përfshijë Krieger në një shkëmbim të burgosurish midis Rusisë dhe Perëndimit që është diskutuar prej disa muajsh.

Por, rrëfimi televiziv dukej se ishte krijuar për të ushtruar presion mbi qeverinë gjermane.

“Koha është kundër meje. Në çdo moment ata mund të zbatojnë dënimin. Çdo sekondë pendohem për atë që bëra”, tha Krieger, duke shtuar se nuk e dinte pse qeveria gjermane nuk po bënte përpjekje më të mëdha për të ndërhyrë në rastin e tij.

Rusia ka të burgosur edhe një numër shtetas amerikanë, duke përfshirë gazetarin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich.

Zyrtarët gjermanë nuk i kanë komentuar thashethemet për shkëmbimin, por Ministria e Jashtme gjermane tha më herët se ata po ofrojnë ndihmë për Krieger dhe po punojnë “intensivisht” me autoritetet bjelloruse.

Së fundmi, zëdhënësja e qeverisë gjermane, Christiane Hoffmann tha se Scholz është në dijeni të rastit.

“Ashtu si e gjithë qeveria, edhe Scholz është i shqetësuar për këtë ngjarje, veçanërisht për dënimin me vdekje”, tha ajo në një konferencë shtypi në Berlin. /Telegrafi/

Exit mobile version