Telegrafi

“Unë e përdhunuara”, promovohet libri për viktimat e dhunës seksuale në luftën e Kosovës (Video)

Dhimbjet e grave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, autorja Ramize Murtezi – Shala, i sjell përmes romanit “Unë e përdhunuara”.

Ky libër është i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe flet për betejën jetësore të një nëne të përdhunuar gjatë luftës, bashkë me dy vajzat e saj.

Vasfije Krasniqi- Goodman, e dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, edhe në këtë promovim vazhdoi apelin e saj, që sa më shumë të përkrahen gratë e dhunuara.

Recensenti i këtij libri, Rrahman Paçarizi, ka thënë se me të lexuar këtë libër, të shfaqet një film përpara. Duke shtuar, se është një nga rrëfimet  më të dhimbshme të luftës.

“Libri i autores Ramize Murtezi-Shala është ndër rrëfimet më të dhimbshme të luftës. Ai është një rrëfim origjinal i viktimës së përdhunimit. Pjesë e romanit janë edhe femra të tjera të dhunuara në vende të ndryshme të Kosovës”, deklaroi Rrahman Paçarizi.

E pranishme në këtë promovim të librit, ishte edhe ambasadorja e Kosovës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku. Ajo ka thënë se ky libër përmban rrëfimin që e ka dëgjuar shumë herë. Ndonëse secili rrëfim është i ndryshëm, ata kanë një të përbashkët: nevojën për t’u pranuar.

“Rrëfimi [i Vasfijes] më ka marrë zemrën. E kam dëgjuar shumë herë atë rrëfim. Kam pasur rastin të jem bashkë me presidenten Jahjaga, të dëgjon rrëfimet e grave të dhunuara. Secili rrëfim është i ndryshëm nga tjetri. Të gjithë janë të dhembshëm”, deklaroi Vlora Çitaku.

Është vetë autorja Ramize Murtezi- Shala, e cila arriti që zërin e shumë femrave të dhunuara,  ta vendoste në letër. Ajo ka thënë se ka qenë e vështirë, që gjithë këtë ngjarje të përfshihet në vetëm 308 faqe.

“Një zonjë e nderuar më ka thënë një fjali që më ka mbetur ne mend. Nuk mund të shkruhet historia e Kosovës pa u shkruar historia e femrave të dhunuara seksualisht në Kosovë. Është një fjali shumë e vërtet që duhet të merret parasysh nga të gjitha instancat në Kosovë”, deklaroi Ramize Murtezi- Shala.

Romani “Unë e përdhunuara”, mund ta gjeni në ambientet e Librarisë Dukagjini, dhe të gjitha mjetet që do të grumbullohen nga shitja e librave, do të shkojnë për gratë e dhunuara./RTV Dukagjini/Telegrafi/