Telegrafi

UNDP-ja publikon Mozaikun e Kosovës 2009

Raporti i Mozaiku i Kosovës, hulumtim i cili përfshin 6400 të anketuar dhe paraqet perceptimet e njerëzve për mirëqenien e përgjithshme ekonomike, shërbimet publike lokale, menaxhimin e komunave dhe procesin e decentralizimit do të publikohet të martën.

Raporti përqendrohet në qeverinë komunale, perceptimet e të anketuarve për mjedisin ekonomik dhe punësimin e tyre, si dhe nxjerrjen e analizave krahasuese me raportet e mëparshme të hartuara në vitet 2003 dhe 2006. Kjo paraqet një pasqyrë të trendeve dhe ndryshimeve në komunat e Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve me kalimin e kohës.

Rezultatet e këtij hulumtimi vijnë tani, kur janë duke u shtuar përpjekjet drejt përmirësimit të shërbimeve publike si dhe reformimit të pushtetit lokal. Hulumtimi ofron informata të cilat mund të shfrytëzohen për zhvillimin e politikave publike, si dhe për të mbështetur procesin e vendimmarrjes gjatë realizimit të procesit të decentralizimit.

Përderisa papunësia mbetet shqetësim kryesor për qytetarët e Kosovës, raporti nxjerr në pah se për dallim prej hulumtimeve të mëparshme, tani të anketuarit duken të jenë më të kënaqur me mirëqenien e tyre financiare sesa në të kaluarën.

Rezultatet po ashtu tregojnë se përderisa të anketuarit mbesin aktivë kur jemi tek ajo që dëshirojnë që zëri i tyre të dëgjohet, disa të anketuar tani preferojnë të protestojnë në rrugë në mënyrë që të arrijnë qëllimet e dëshiruara. Në krahasim me vitin 2006, përderisa ende rezultat i ulët, njëzet për qind më shumë të anketuar kanë raportuar se posedojnë biznesin e tyre.

Komunat me numrin më të lartë të anketuarve të papunësuar dhe të atyre që kërkojnë punë kanë qenë në viset rurale. Rezultatet e njëjta po ashtu tregojnë se, përveç papunësisë shumë të lartë, rajonet qendrore të Kosovës mbesin në gjendjen më të keqe dhe janë më pesimistët për mirëqenien e tyre ekonomike në të ardhmen.

Mozaiku i Kosovës është projekt i cili realizohet për një kohë të gjatë dhe shqyrton rolin e pushtetit lokal në Kosovë. Është i krijuar për t’i kontribuar debatit të vazhdueshëm dhe reformës së pushtetit lokal duke theksuar prioritetet, vështirësitë në ofrimin e shërbimeve, gatishmërinë e njerëzve për pjesëmarrje në procesin e politikave publike dhe sinqeritetin e komunave ndaj kërkesave lokale. Mozaiku i Kosovës 2009, i përgatitur nga UNDP-ja, në partneritet me USAID-in, është raporti i tretë në vargun e hulumtimeve të krijuara për të matur perceptimet e qytetarëve dhe vetëdijesimin e tyre për zhvillime të ndryshme të cilat ndikojnë në jetën e tyre të përditshme dhe në ndërveprimin e tyre me pushtetin lokal. Raporti ka përfshirë realizimin e intervistave të drejtpërdrejta me 6400 të anketuar nga 33 komuna. /Telegrafi/