Telegrafi

UNDP: Institucionet më të korruptuara KEK, AKP, gjykatat dhe doganat

Nga ana tjetër, 46 për qind e kosovarëve besojnë se mediat në Kosovë nuk janë të lira dhe se ato kontrollohen nga qeveria.

Rreth 60 për qind e respondentëve shqiptarë dhe të komuniteteve joserbe shprehen se stabilitetin e Kosovës e kërcënojnë papunësia dhe varfëria, për dallim prej respondentëve serbë, 50 për qind e të cilëve vlerësojnë se stabilitetin e kërcënon përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike. Kështu u shpreh Mytaher Haskuka, udhëheqës i sektorit të politikave në UNDP.

Ai tha se raporti pasqyron trend pozitiv, respektivisht rritje të optimizmit dhe rënie e pesimizmit të qytetarëve qoftë sa i përket mjedisit politik, po ashtu edhe atij ekonomik, nga 40 sa ka qenë në 28 për qind. Ai theksoi se është rritur edhe niveli i sigurisë.

Qytetarët edhe më tutje konsiderojnë se qeveria është përgjegjëse kryesore për gjendjen ekonomike në Kosovë. Ndërkaq sa i përket papunësisë, vetëm 14 për qind e shqiptarëve dhe rreth 11 për qind e serbëve kanë raportuar se kanë gjetur punë brenda gjashtë muajve.

Si edhe në prill, shumica e respondentëve, të të gjitha etniteteve, janë shprehur se kriza globale ka prekur edhe Kosovën.
Anketa e qershorit 2009 shënon një rritje të vogël në numrin e respondentëve që u ballafaquan me situatë ku zyrtarët publik kushtëzuan shërbimet e tyre me kërkesë të ryshfetit, dhuratave ose favoreve tjera.

Ndërkaq rreth 46 për qind të kosovarëve besojnë se mediat në Kosovë nuk janë të lira. Nga ta, gjysma e respondentëve, të të gjitha etniteteve, besojnë se mediat kontrollohen nga qeveria.