U.d. i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla është takuar sot me përfaqësuesen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Maria Suoko dhe pjesëtarët e delegacionit të saj.
“Takimi i sotëm kishte për qëllim pranim dorëzimin e 15 kompjuterëve (laptop), si formë e mbështetjes teknike e UNDP-së ndaj Grupit Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve. Marrë parasysh që prania e pandemisë Covid-19 në Kosovë imponon komunikim on-line, një ndihmë e këtillë nga UNDP lehtëson veprimin dhe bashkëpunimin ndër-institucional, aq të nevojshëm në kohë të luftimit të virusit korona”, thuhet në njoftimin për media.
Sveçla ka falënderuar UNDP-në për gatishmërinë e tyre që t’u qëndrojnë afër institucioneve të Kosovës në këto kohë të vështira dhe ka mirëpritur ofrimin për mbështetje të mëtutjeshme Ministrisë që ai udhëheq, përmes asistencës në planifikimin e kampanjës së informimit lidhur me luftimin e pandemisë, si dhe mbështetjes Grupit ndër institucional për menaxhimin e incidenteve në fushën e planifikimit të menaxhimit të krizave.
Në anën tjetër,Suoko ka shprehur mirënjohje për qasjen e Ministrisë ndaj pandemisë dhe ka treguar gatishmëri të familjes së UN-it për mbështetje të vazhdueshme Qeverisë në këtë aspekt. /Telegrafi/