Samuel Umtiti mbajti stemën e Barcelonës në një festë goli kundër Romës dhe e gjithë kjo ishte për të treguar se ai e do klubin katalunas.
Reprezentuesi francez luajti një rol të rëndësishëm në fitoren 4-1 të së mërkurës ndaj Romës në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve.
Kjo paraqitje e mirë erdhi në mes të spekulimeve të vazhdueshme për të ardhmen e tij në klubin katalunas.
Klauzola e lirimit të mbrojtësit qendror në Camp Nou është 60 milion euro dhe ai ka qenë i lidhur me një largim për shkak të kërkesave të pagës, por festa e tij pas një goli i ka treguar të gjitha.
“Jo kjo nuk është një festë unike, vetëm kam dashur të them se e dua këtë klub”, ka thënë fillimisht Umtiti për El Mundo Deportivo.
“Nuk kam më shumë për të thënë…”
“Unë vetëm luaj, përpiqem të bëj më të mirën dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për mua dhe të jem në një klub si ky është një nder”.
“Ka shumë gjëra të shkruara në shtyp, disa janë të vërteta dhe disa janë të rreme, por unë duhet të përqendrohem që të vazhdoj të luaj në nivelin tim”, përfundoi francezi. /Telegrafi/