Site icon Telegrafi

Umberto Eco dhe konspiracioni

Umberto Eco

Nga: Daut Dauti

Është zor të gjendet ndonjë shkrimtar që ka shkruar apo që shkruan më bukur se Umberto Eco. As temat aq interesante dhe trajtimin e tyre aq njerëzor nuk e bën kush më mirë se Eco. Kjo është për shkak të përvojës dhe njohurisë që ka pasur Eco. Mbi të gjitha, për shkak të qasjes humane dhe akademike që ai kishte ndaj njeriut dhe botës.

Shkrimi, pra letërsia, për Econ ka qenë hobi. Ai me profesion ishte akademik/studiues, profesor. Në rininë e hershme Eco ishte religjioz, por u largua nga besimi për shkak të zhgënjimit që pati me Kishën. Pastaj, e përqafoi fashizmin pasi që kjo ideologji e organizuar, në aspektin vizual, ishte atraktive për të rinjtë. Kur e hetoi se Musolini ishte si Hitleri dhe se fashizmi ishte jonjerëzor, u largua shpejt edhe nga aty dhe iu përkushtua studimeve, por pa hequr dorë nga gazetaria. Tërë kjo eksperiencë i ndihmoi të bëhej dijetar dhe shkrimtar i pashoq.

Kur Eco e braktisi besimin, deklaroi: “Kur njerëzit pushojnë së besuari në Zot, kjo nuk do të thotë se ata më nuk besojnë në asgjë: ata besojnë në çdo gjë”.

D.m.th. Eco nuk u largua nga religjioni për ta pasur më lehtë. Përkundrazi, doli në një fushë ku e vërteta, të cilën gjë ai e kërkonte, ishte e vështirë për ta gjetur. Të vërtetën në këtë botë e kanë mbështjell konspiracionet – temë intriguese të cilës Eco i kushton kohë e që u bë bazë e romaneve të tij. Në vete, konsipracioni nuk ishte tema që e tërhiqte. Në fakt, ishte paranoja që vjen nga konspiracioni, të cilën njerëzit e pranojnë dhe lejojnë që ajo të lulëzojë. Në lidhje me këtë, për gazetën angleze “The Guardian’, Eco shkruante:

“Ka shumë konspiracione të vogla dhe shumica e tyre janë zhvlerësuar. Por, paranoja e konspiracionit universal është më e fuqishmja për shkak se është e përhershme. Kurrë nuk mund ta zbuloni, sepse nuk dihet kush është në të. Është tundim psikologjik i species tonë. Karl Popperi ka shkruar një ese të bukur për këtë gjë, ku ai thotë se kjo ka filluar me Homerin. Tërë ajo që ka ndodhur në Trojë ka qenë e komplotuar një ditë më herët nga zotat në majën e Olimpit. Kjo është arsyeja që diktaturat e shfrytëzojnë si armë nocionin e konspiracionit universal. Është mënyrë që të mos ndjesh përgjegjësi për diçka. Gjatë 10 vjetëve të para të jetës sime jam edukuar në shkollë nga fashistët ku përdorej konspiracioni universal – që na thoshte se ju anglezët, hebrenjtë dhe kapitalistët organizonin komplot kundër nesh, popullit të varfër italian. Njësoj ka qenë edhe për Hitlerin. Edhe Berluskoni e ka shpenzuar tërë kohën e tij të fushatës elektorale duke folur për konspiracionin e dyfishtë të gjykatësve dhe komunistëve. Më nuk ka komunistë, madje nuk gjeni ndonjë edhe nëse e kërkoni me llambë, por për Berluskonin ata ishin aty dhe provonin ta merrnin pushtetin”.

 

 

Exit mobile version