Telegrafi

Ulqini ofron sivjet për kosovarët ulje çmimesh prej 20 deri në 30 %

Ky vendim, sipas delegacionit nga Ulqini është marrë nga Qeveria e Malit të Zi bashkë me pushtetin lokal, të cilët këtë vit kanë stimuluar sektorin privat me ulje taksash.

Për akomodim sa më të rehatshëm pothuajse janë bërë të gjitha përgatitjet për të pritur fluksin e pushuesve nga Kosova.

“Përgatitjet janë bërë, Qeveria e Malit të Zi ka marrë masa po ashtu edhe komuna e Ulqinit me uljen e taksave dhe do të ketë ulje çmimesh prej 20-30%”, ka thënë Selatin Xheloshi

Tri vitet e fundit, sipas ulqinakëve ka pas rënie të pushuesve nga Kosova, ndërsa, sivjet ata janë optimist se Ulqinit do t’i kthehet zhurma dhe jeta e natës, marrë parasysh natyrën e bukur dhe investimet që janë bërë në Ulqin.

“Mbi të gjitha Ulqini ka natyrën, ka mikpritjen, ka traditën për turizëm dhe ne si komunë kemi vu dorë për furnizim me ujë, me gjelbërim që Ulqini të marrë epitetin evropian, ashtu siç kemi paralajmëruar”, ka thënë Gëzim Hajdinaga, kryetar i komunës së Ulqinit

Për Hajdinagën, fakti që Kosova tani me auto-udhën Prishtinë – Durrës do të ketë dalje në det, nuk paraqet shqetësim, ngase sipas tij, pushuesit nga Kosova nuk e harrojnë adresën e vjetër – plazhet e bukura të Ulqinit. /rtk/