OPEC-u dhe prodhuesit jashtë kartelit kanë arritur marrëveshjen e parë që prej vitit 2001 për të ulur prodhimin e naftës dhe reduktuar tepricën globale, pasi çmimet e ulëta në më shumë se dy vite kanë tkurrur buxhetet e shumë vendeve që varen nga të ardhurat prej naftës.
Zyrtarët e organizatës bënë të ditur se vendet jo-anëtare kanë rënë dakord të ulin prodhimin me 558 mijë fuçi në ditë për 6 muaj, duke nisur nga 1 janari 2017. Shkurtimet e këtyre vendeve i shtohen vendimit të OPEC më datë 30 nëntor për të ulur prodhimin brenda kartelit me 1.2 milionë fuçi në ditë.
Ministri i Naftës i Arabisë Saudite, Khalid Al-Falih e quajti marrëveshjen “historike” dhe tha se do të stabilizojë tregun vitin që vjen duke inkurajuar edhe industrinë që të bëjë investime.
11 vendet jo-anëtare të OPEC që do të marrin pjesë në uljen e prodhimit janë; Azerbajxhani, Bahreini, Brunei, Guinea Ekuatoriale, Kazakistani, Malajzia, Meksika, Omani, Rusia, Sudani dhe Sudani i Jugut.
Sekretari i përgjithshëm i OPEC tha se pjesa më e madhe e uljes së prodhimit pritet të vijë nga Rusia.
Ndryshe, nafta ka rënë nga 90 dollarë për fuçi në fillim të 2014-ës në rreth 40 dollarë më herët gjatë këtij viti. Në sesionin e së Premte, nafta u mbyll në 51.5 dollarë, në rritje me 6% që kur OPEC-u paralajmëroi reduktimin prodhimit. /Telegrafi/