Telegrafi

Ulja e papunësisë – prioritet

Me nënshkrimin e artikujve të marrëveshjes mes FMN-së, BB-së dhe Qeverisë, Republika e Kosovës edhe zyrtarisht bëhet anëtare e këtyre dy organizatave.

Kosova, në muajin maj, respektivisht në qershor, mori dritën jeshile për anëtarësim, të cilin qeveritarët dhe ekspertë për çështje ekonomike e vlerësojnë si suksesin më të madh pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, pohon se anëtarësimi i Kosovës në këta mekanizma do të ndikojë në rimëkëmbjen ekonomike dhe në përmirësimin e mirëqenies sociale të popullatës.

Edhe ekspertët e çështjeve ekonomike e vlerësojnë si të rëndësishëm nënshkrimin zyrtar të anëtarësimit të Kosovës në BB dhe në FMN. Rezultatet e këtyre dy Institucioneve varen nga projektet ekzistuese të Qeverisë së Kosovës.

Safet Gërxhaliu, zyrtar për marrëdhënie me jashtë në Odën Ekonomike të Kosovës, shpreh dyshimin në ekzistimin e projekteve të përgatitura nga institucionet kosovare, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e përgjithshëm ekonomik.

Por, zëvendëskryeministri Kuçi thotë se projektet tashmë ekzistojnë. Sipas tij, rezultatet nuk mund të vërehen për një kohë të shkurtër.

“Me nënshkrimin e neneve për anëtarësim, unë jam i bindur që Kosova do t’i marrë obligimet që ka para vetes, por edhe mundësitë që zhvillohen”.

Ndërkaq, zoti Gërxhaliu pohon se një nga projektet që tashmë është dashur të jetë i gatshëm dhe i njohur për opinionin, është ai që ka të bëjë me uljen e shkallës së papunësisë në vend.

“Do të duhej të bëhej më shumë në mundësinë e promovimit të mundësive për hapjen e vendeve të reja të punës dhe në këtë drejtim duhet të ketë projekte konkrete, çka do të jetë ajo, a do të jetë agrobiznesi dhe përpunimi i produkteve bujqësore, apo hapja e reparteve të reja të tekstilit, apo do të jetë ajo e minierave…”.

“Krejt këto do të jenë ato që mund të krijojnë vende të reja të punës. Por, për fat të keq, vizioni i qartë institucional mungon”, deklaroi Gërxhaliu.

Kosova nënshkruan edhe anëtarësimin në organizmat e tjerë që përfshihen në Bankën Botërore, si në Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, në Shoqatën për Zhvillim Ndërkombëtar, në Korporatën Ndërkombëtare të Financave, në Agjencinë e Garantimit të Investimeve Shumëpalëshe dhe në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve në Investime. /rel/