Telegrafi

Ulja e dënimit për Salih Mustafën, Specialja: Kjo nuk do të thotë se krimet për të cilat është shpallur fajtor nuk janë të rënda

Paneli i Gjykatës së Apelit ka marrë vendim sot për uljen e dënimit nga 26 në 22 vjet burgim për Salih Mustafën.

“Më 14 dhjetor 2023, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës, i përbërë nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, shqiptoi aktgjykimin e parë të apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në një çështje gjyqësore që ka lidhje me krime lufte.

Paneli i Apelit la në fuqi verdiktet e fajësisë së Mustafës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar (Pika 1 e Aktakuzës), torturës (Pika 3 e Aktakuzës) dhe vrasjes së paligjshme (Pika 4 e Aktakuzës)”, thuhet në njoftimin Gjykatës Speciale.

Apeli i Mustafës përmbante nëntë pika të ndara në 51 nënpika. Paneli i Apelit rrëzoi tetë pika të paraqitura nga Mustafa që kundërshtonin Aktgjykimin e Trupit Gjykues, ndërsa miratoi pjesërisht kundërshtimin e tij ndaj dënimit me 26 vjet burgim nga Trupi Gjykues për tri pikat e Aktakuzës që ishte shpallur fajtor.

Lexo po ashtu Apeli ia ul dënimin Salih Mustafës nga 26 në 22 vjet burgim

“Ndonëse plotësisht i vetëdijshëm për diskrecionin e gjerë të Trupit Gjykues në dhënien e dënimit, dhe duke pasur parasysh se dënimet nuk mund të “zhvendosen” lehtë nga një çështje gjyqësore në tjetrën, gjithsesi Paneli i Apelit konstatoi se në çështjet e gjykuara si në tribunalë penalë dhe në gjykatat e Kosovës lidhur me krime lufte të krahasueshme me ato për të cilat u dënua Mustafa, dënimet e dhëna ishin më të shkurtra se dënimi i Mustafës nga Trupi Gjykues. Rrjedhimisht, Paneli i Apelit zvogëloi dënimet individuale të dhëna zotit Mustafa për krimet e luftës që ishte shpallur fajtor dhe zvogëloi dënimin e njësuar nga 26 në 22 vjet burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim”, thuhet në njoftim.

Gjatë shqiptimit të Aktgjykimit, Paneli i Gjykatës së Apelit theksoi se Aktgjykimi “është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë për viktimat dhe llogaridhënies,” dhe se zvogëlimi i dënimit të Mustafës “nuk sugjeron aspak se krimet për të cilat ai është shpallur fajtor dhe dënuar, nuk janë të rënda.”

Paneli i Apeli vuri në dukje se Mustafa nuk apeloi Urdhrin për Zhdëmtim të lëshuar nga Trupi Gjykues, në të cilin tetë viktimave pjesëmarrëse në proces iu akorduan dëmshpërblime, dhe se vendimi i këtij paneli nuk ndikon në Urdhrin për Zhdëmtim. /Telegrafi/