Site icon Telegrafi

Ulja e çmimit në botë nuk ka ndikuar në Kosovë, kërkohet formimi i rregullatorit të çmimeve të naftës

Uljet e çmimeve të derivateve të naftës në bursa ndërkombëtare nuk kanë reflektuar në uljet e këtyre çmimeve dhe në Kosovë.

Në këtë drejtim, përfaqësues të naftëtarëve e shohin shumë të rëndësishme formimin e rregullatorit të çmimeve të naftës.

Kjo pasi që, sipas tyre, nga kjo do të përfitonin drejtpërdrejt qytetarët, përkatësisht konsumatorët.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, tha për Telegrafin, se duhet të formohet rregullatori për çmimet e naftës.

“Në Kosovë nuk ka marrëveshje të naftëtarëve. Ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të formohet rregullatori i çmimeve të naftës, ku pastaj shteti të ketë mundësinë të ndërhyjë në raste kur është e nevojshme e t’iu jepet mundësia qytetarëve për çmime më të lira. Këtë rregullator e kemi kërkuar që pesë vite”, tha Berjani.

Ai sqaron se çmimi i naftës në Kosovë është më i lirë në rajon, përveç Maqedonisë.

“Qytetarët e Kosovës janë duke përfituar çmimet më të lira në rajon, përveç Maqedonisë, pasi që ata e kanë akcizën më të lirë dhe tregu është më liberal. Çmimi i naftës për momentin në Republikën e Kosovës është nga 1.07 centë deri në 1.15 centë, ndërsa për benzinën është një cent më shtrenjtë”, sqaron ai.

Gjithsesi, Berjani thotë se e përkrah iniciativën e Kryeministrit Haradinaj për hetimin e çmimit të naftës.

“Jemi të hapur për këtë, ne e përkrahim kryeministrin për këto probleme. Ma merr mendja që Agjencioni i Konkurrencës t’i hetojë disa monopole tjera që janë në treg e pastaj të merret me naftëtarët”, tha për Telegrafin, Berjani.

Lexo po ashtu Kryeministri Haradinaj kërkon të mos rritet çmimi i naftës, paralajmëron hetim të naftëtarëve

Ndryshe, lidhur me çmimet e naftës ka reaguar edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Haradinaj u ka bërë thirrje mekanizmave vendor për hetimin e çmimit të naftës dhe marrjen e hapave të nevojshëm.

Ai, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, thotë se është i patolerueshëm dëmtimi i buxhetit familjar të qytetarëve nga kompanitë që importojnë naftë në Kosovë.

“Dëmtimi i padrejtë financiar i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i patolerueshëm. Kjo po ndodhë nga kompanitë që importojnë dhe shesin naftë në Kosovë. Çmimi i naftës në tregun botëror dhe rajonal është më i ulët aktualisht, derisa në tregun kosovar, operatorët nuk kanë reflektuar. U bëj thirrje Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ministrisë së Tregtisë, Shoqatës e Naftëtarëve dhe të gjithë mekanizmat e tjerë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta ndryshuar këtë praktikë të keqe që dëmton qytetarët tanë”, ka shkruar ai, përcjell Telegrafi.

Haradinaj thotë se çmimi i naftës duhet të jetë konform çmimit të tregut.

“Çmimi i naftës duhet të jetë konform çmimit të tregut! Është e kuptueshme që tregu i lirë funksionon i pavarur, por kjo nuk nënkupton, në asnjë formë, dëmtimin e qëllimshëm të buxhetit të familjeve kosovare”, thotë Haradinaj.

Lexo po ashtu Paralajmërohen hetime për çmimet e naftës në Kosovë

Ndërsa ditë më parë, kryetari i Autoritetit Kosovar i Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka bërë të ditur se do të kërkojë nga Prokuroria Speciale e Kosovës ta hetojnë së bashku industrinë e naftës.

Përmes një shkrimi në Facebook, Prestreshi, thotë se kompanitë vazhdojnë të mbajnë çmimet e larta pavarësisht se ato kanë shënuar rënie në botë.

“Duke e konsideruar se tregu i derivateve të naftës është mjaft i ndjeshëm, nesër, po ashtu do ta kërkoj ndihmën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që së bashku ta hetojmë këtë dukuri me kujdes, ata nga këndvështrimi penal, AKK nga këndvështrimi civil”, ka shkruar Prestreshi.

Aktualisht çmimi i naftës në Kosovë është nga 1.07 centë deri 1.15 centë, ndërsa çmimi i benzinës është nga 1.08-1.16 centë. /Telegrafi/

Exit mobile version