Site icon Telegrafi

Uliks Fehmiu, përmbushi ëndrrën e babait të tij

Uliks Fehmiu, djali i parë i aktorit të madh të teatrit dhe filmit Bekim Fehmiu, i cili për fat të keq nuk e pati rastin e volitshëm të aktronte edhe në gjuhën shqipe, duket se megjithatë, ka trashëguar shumëçka nga babai i tij, sidomos sa i përket aktrimit.

Bisedoi: Mirjeta Baraliu

Ndonëse, jo në përmasa të Bekimit (edhe për shkak të moshës së tij), ai megjithatë ka dhënë sinjale se mund të zhvillohet në një artist me përmasa evropiane, pse jo edhe botërore.

Kohë më parë, Uliks Fehmiu, ishte në Prishtinë, ku interpretoi me mjaft sukses në shfaqjen teatrore “Romeo e Julieta”, një bashkëprodhim teatror midis Kosovës e Serbisë, e cila u dha në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe, me këtë rast ne zhvilluam këtë bisedë të rrallë, të cilën mund ta ndiqni në vazhdim.

Uliks, ju erdhët në Prishtinë, relativisht pas një kohe të gjatë. Si u ndiet në Prishtinë kësaj radhe?
Jam shumë i lumtur që isha këtu. Kjo vizitë ishte shumë më ndryshe se çdo vizitë tjetër më parë. Pra, qëndrova këtu për shkak të angazhimit që mu dha, të cilin nuk e imagjinoja se do ta kisha ndonjëherë. Kjo ishte mundësia që të aktroja në Prishtinë, duke folur gjuhën e babait tim në skenë. Të gjithë e dinë se babai im gjatë tërë karrierës së tij asnjëherë nuk e pati rastin si në skena, ashtu edhe para kamerave të luaj në gjuhën e tij amtare. Për këtë arsye, unë kam nderin dhe jam shumë mirënjohës që më është dhënë kjo mundësi e pabesueshme. Nga ana tjetër, kjo shfaqje, tregon se gjuha nuk është aspak e rëndësishme për ta kuptuar njerëzit njëri-tjetrin, por janë veprimet tona ato që na definojnë si njerëz. Dhe, natyrisht, posaçërisht gëzohem që isha këtu me familjen time, me vëllezërit e babait Bekim, axha Arsim dhe axha Fatmir dhe familjet e tyre.

A mund të na tregoni pak më shumë për bashkëpunimin ndërmjet trupës teatrale në shfaqjen “Romeo dhe Julieta”?
Kemi kaluar kohë të shkëlqyeshme duke punuar së bashku. Natyrisht se kjo është edhe një arsye pse jam i lumtur, për shkak të këtyre njerëzve që, unë i respektoj si artistë dhe qenie njerëzore. Ata janë shumë të veçantë dhe unik, përndryshe secili nga ata këndon mrekullueshëm. Natyrisht, aty është Edona Reshitaj, por edhe të tjerët që nuk mbeten prapa saj. Më i riu nga ata, ende student, Faris Berisha është i shkëlqyeshëm. Ai lëviz në skenë sikurse panter…butë, qetë dhe pa zhurmë, por në të njëjtën kohë shpejtë dhe shumë fuqishëm. Zëri i Armend Balokut është mahnitës. Poashtu, e kemi edhe një aktore shumë të fuqishme – Arta Selimi, zbavitëse, e mprehtë, mendjendritur, mendjehapur, super profesionale. Sensi i Armend Ismailit për humor është i paçmueshëm. Mensur Safçiu ka aq ngrohtësi…ai ka këtë aurën e ndjeshmërisë, e cila e rrethon gjithë qenien e tij. Albanin, e kam parë para dhjetë viteve në një film të shkurtër në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Dhe, që atëherë ishte e qartë se para tij është një karrierë e suksesshme e aktorit. Me sytë e tij të kaltër, ne nuk kemi një aktor që duket si ai dhe është i talentuar si Albani. Ishte kënaqësi e madhe të ndaja skenën me të dhe unë shpresoj që do të kemi edhe shumë mundësi të tjera në të ardhmen. Puna me regjisorin Miki Manojloviç, ishte poashtu e shkëlqyeshme. Ky njeri ka energji të pashtershme dhe është shumë inspiruese të jesh pranë tij. Ai ishte shumë bujar me çdo anëtar të ekipit të shfaqjes me ëmbëlsinë dhe respektin e tij.

Ju patët fjalë të zgjedhura për kolegët tuaj, por dua t’ju komplimentoj për gjuhën shqipe që aq bukur e flisni, sidomos në shfaqje. Megjithatë, a keni ndonjë angazhim në ndonjë film, përveç në teatër?
Unë dua të kthehem pak mbrapa dhe të flas edhe pak për shfaqjen. Gjatë punës në shfaqjen “Romeo dhe Julieta”, fokusi im kryesor ka qenë puna me gjuhën. Të flasësh një gjuhë është një gjë, por të aktrosh në një gjuhë tjetër është diçka tjetër, sidomos kur aktron me një gjuhë që nuk e flet mirë dhe kur kjo është Shekspiri, është vështirësi e trefishtë. Por të gjithë këta aktorë që fola për ta, më kanë ndihmuar shumë me gjuhën në këtë shfaqje, shpresoj të mos i kem turpëruar…Në fakt, në shfaqje është folur në tri gjuhë, pasi fillon në gjuhën italiane.

E di që disa filma tuaj janë shfaqur në Festivalin e Sarajevës, madje edhe jeni shpërblyer. Na flisni më shumë për angazhimet tuaja më të reja?
Zakonisht nuk më pëlqen të flas për filmat të cilët ose janë në proces të realizimit ose mund të ndodhin në të ardhmen…Kam xhiruar një film vitin e kaluar në Sarajevë. Është një dramë e bukur familjare, kur them e bukur nënkuptoj edhe regjisoren Ines Tanovic nga Sarajeva. Ky është filmi i saj i parë i metrazhit të gjatë. Më parë ajo ka bërë disa filma dokumentar për të cilët është shpërblyer. Ajo është regjisore dhe skenariste. Duke u bazuar në këtë dhe aktorët që marrin pjesë aty, jam shumë i lumtur dhe krenar që isha pjesë e këtij projekti. Flitet për një dramë familjare të një shoqërie në tranzicion në Sarajevë që nuk është më ndryshe se shoqëritë e tjera. Po ta keni mundësinë që ta shihni filmin këtu, mendoj se shumë njerëz do ta gjenin veten në këtë dramë dhe do të kuptojnë problemet në film.

Jam kurreshtare të dij se si i përzgjidhni rolet, kur kemi parasysh se babai juaj (Bekimi), ishte tepër i kujdesshëm kur vendoste të merrte një rol?
Janë disa gjëra më të rëndësishme se filmi, aktrimi e teatri, që është vet jeta. Në nivel të parë kështu bëj përzgjedhjen. Por, për mendimin tim, nëse rrëfimi ia vlen të tregohet, nëse ka arsye që ajo storie të rrëfehet, atëherë kjo është pjesa e parë. Pjesa e dytë është natyrisht regjisori. Edhe pse skenari është me rëndësi, mund të ndryshojë gjatë punës, realizimit. Rrëfimi është ai që është, gjithashtu edhe regjisori. Skenari është vetëm plani për ta ndërtuar shtëpinë. E filmi është shtëpia. Skenari është si plani arkitektural i vizatuar që ka mundësi ndryshimi gjatë procesit të punës.

Si është të jetosh ndërmjet Amerikës dhe Evropës, të cilat dallojnë shumë njëra me tjetrën?
Në Amerikë nuk punoj shumë si aktor, por kisha disa role në disa filma dhe shfaqje. Punën më të mirë që e kam bërë atje ishte në teatër me disa role serioze. Po, megjithatë kur je aktor, edhe pse unë flas anglisht, por kur ke pak aksent në gjuhë, fusha e veprimit është paksa e limituar. Unë jam rritur në një familje ku është besuar që teatri dhe filmbërja janë art. Ne prapë mund të shpresojmë që është ashtu, por në fakt është biznes. Atje do t’ju pyesin a doni të bëheni aktor, apo yll filmi. Këto janë dy gjëra komplet ndryshe. Aktori është ai që mundohet për të realizuar art të mirëfilltë. Kurse yll filmi është ai që, do të punojë gjatë gjithë kohës, pa u kujdesur se çka po luan. Janë shumë të rrallë ata që i kanë të dy këto elemente. Konkurrenca është shumë e madhe, pothuajse të gjithë në Los Angelos duan të bëhen aktor dhe vetëm një në një milion ka sukses. Duke e kuptuar sa mund të duhet që të marrësh rol atje, duke u bazuar edhe në faktin e barrierës gjuhësore, atëherë është më mirë që të fokusohemi në regjion ku mund të jemi vetja jonë e plotë. Ajo çka vjen, vjen por pa ambicie të mëdha.

E cekët se jeni rritur në një familje, ku arti është vlerësuar lart. Cilat janë përparësitë që nuk i kanë jo të gjithë (të rritesh në një familje aktorësh? A i përfillni dhe a keni nevojë për këshilla artistike, sidomos nga nëna juaj aktore dhe bashkëshortja, po ashtu aktore?
Natyrisht se po, edhe nga bashkëshortja dhe nëna ime, dy profesioniste jashtëzakonisht të talentuara dhe të kompletuara. Ne i respektojmë mendimet e njëri-tjetrit, ngase nëse unë nuk të besoj ty, nuk do të dëgjoj dhe nuk mërzitem se çfarë do të thuash ti. Nuk ka lidhje nëse është Marlon Brando apo nëna ime, por nëse e respektoj si profesioniste, atëherë unë i dëgjoj, ne flasim, i shkëmbejmë mendimet, kritikat. E vetmja gjë me rëndësi është, nëse si aktor e ke bërë punën ashtu siç duhet edhe nëse shfaqja si një akt artistik është me vlerë, çdo gjë tjetër është absolutisht e parëndësishme dhe besoj që, në një anë, do të isha shumë i kënaqur me shfaqje, ndërsa nga ana tjetër, do të kishte shumë gjëra për të na treguar. Në atë kuptim, ai ka qenë një kritik shumë i hapur dhe i drejtpërdrejtë, kurrë nuk ka qenë njeri që mendon një gjë, ndërsa e thotë tjetrën.
Gjatë gjithë atyre viteve të mungesës sime, kam menduar nëse kam gabuar që kam shkuar në Amerikë, sepse na mungonte aktrimi, mua dhe bashkëshortes sime, dhe ndodhi që pas 10 vitesh, fitova rolin kryesor në një projekt filmik në Beograd. Pra, regjisori më ka dhënë një “rough-cut”, do të thotë një film që nuk është i kryer. Këtë film, pastaj ua dhashë Bekimit dhe Brankës për ta vlerësuar, ndërkohë që unë udhëtoja për në Nju Jork. Pas arritjes në SHBA, kontaktova me ata për ta marrë mendimin e tyre, lidhur me angazhimin tim në këtë film. Kur e pyeta nënën për filmin, ajo më tha: “Cilin film”? Filmin që ua kam dhënë – i thashë. “Aaa, po, po, e kemi parë” – më tha ajo. Dhe sërish e pyeta, dhe….?! A, ishte film i mirë, ose jo”?!. “Paj…i mirë, i mirë” – më tha. “Nënë, mos të është dukur i mërzitshëm?”. Ajo, ma ktheu se jo dhe kaq. Por, unë sërish insistova në përgjigjen e prerë: Më thuaj, ke mbetur e kënaqur, pra? Ndërsa ajo m’i bëri disa pyetje shtesë duke më thënë, nëse unë mendoja sikur në ata filmat amerikan kur dikush e shikon filmin me emocione. I thash me bindje Po…dhe pastaj e kërkova Bekimin. Branka më tha ”Më mirë kur të kthehesh, të tregon babai se, çka mendon”.
Unë, megjithatë insistova ta kem edhe mendimin e babait aty për aty dhe pyetja e parë për të ishte, nëse e kishte parë filmin? “Po e pashë”, më tha shkurt për të shtuar, “Dëgjo, ti je i ri dhe je në fillim të karrierës sate si aktor, karriera është para teje”. Kjo më bëri të kuptoj se Bekimit, filmi nuk i kishte pëlqyer fare. Në ndërkohë, ai e kishte shikuar filmin “Nesër në mëngjes”, në kinema dhe duket se e kishte ndryshuar mendimin për të mirë. Por, ndonëse ishim të ashpër në polemika sa i përket artit, megjithatë ne ruanim raportet e ngrohta familjare.

A keni për të shtuar diçka fare në fund të kësaj interviste?
Kjo shfaqje të cilën e kemi bërë, është për të gjithë, ndërsa unë do të doja që ju të ftoni edhe kolegët për të cilët ju fola, të bisedoni edhe me ta në lidhje me këtë eksperiencë. Mendoj që për të gjithë ne, kjo ka qenë absolutisht e mrekullueshme, kanë ndodhur disa gjëra që para një-dy ose tri vite kanë qenë të pamundura. Unë shpresoj që përsëri do të vijmë në Prishtinë me të njëjtën shfaqje si edhe që do të luajmë prapë edhe në Beograd. Jam i bindur se secili prej nesh, do të mbaj mend këtë eksperiencë me shumë gëzim, krenari dhe dashuri për një kohë të gjatë. /Telegrafi/

Exit mobile version