Site icon Telegrafi

“Uli këmbët more kokëderr”: Skandal në një shkollë të Tiranës, mësuesit ushtrojnë dhunë ndaj fëmijëve me aftësi të veçanta (Video,+18)

Në shkollën speciale “Luigj Gurakuqi” në Tiranë mësuesit keqtrajtojnë, ofendojnë dhe dënojnë nxënësit me probleme të shëndetit mendor.

Në këtë institucion mësojnë 125 nxënës të moshës 6-19 vjeç që kanë probleme të ndryshme të shëndetit mendor, që nga fëmijët me prapambetje të madhe mendore deri tek fëmijët me autizëm.

Kamerat e “Fiksit” sollën gjuhën e ashpër të mësueseve, të cilat u thonë fëmijëve “pabuksa” dhe “kokëderra”.

“Hajde këtu more pabuks” i thotë mësuesja një fëmije duke e tërhequr me forcë nga krahu që ta ulte në bankë. Ndërsa një tjetër mësuese i thotë fëmijës “Uli këmbët more kokëderr”.

Përveç gjuhës agresive, mësuesit edhe qëllojnë fëmijët që nuk u binden.

Një mësuese e godet fëmijën me lodra disa herë që të qëndrojë në bankë pa lëvizur.

Po ashtu, mësuesi i fiskulturës godet një fëmijë që shkon tek një pemë në cepin e oborrit të shkollës.

“Do të mbyll brenda”, kërcënon mësuesi vajzën pasi e godet.

Ka edhe nga ato që edhe pse klasa është plot me nxënës, nuk e kanë problem që në sy të tyre të heqin getat pa u dridhur qerpiku.

Në klasat ku zhvillohet mësimi, mësuesit dënojnë nxënësit në një kënd që është në cep të klasës.

Ato thonë që vendosim aty fëmijët që janë agresivë dhe shqetësojnë fëmijët e tjerë.

Në pamjet e transmetuara nga “Fiks Fare” shihet qartë momenti kur mësuesja i bërtet nxënësit që ka urinuar për të disatën herë, që të qëndrojë i vetëm te këndi, ashtu i lagur siç është. /tch/

Exit mobile version