Telegrafi

Ulet vlerësimi për rritje ekonomike

Komisioni Europian ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike në Eurozonë. Komisioni parashikon se blloku do të rritet me 1.1 për qind vitin e ardhshëm nga 1.7 për qind që ishte vlerësimi i mëparshëm. Rishikimet ishin drastike sidomos në dy ekonomitë më të mëdha të Eurozonës, në Gjermani dhe Francë.

Prodhimi i Brendshëm Bruto në Gjermani, që ka qënë motori ekonomik i bllokut, do të rritet me 1.1 për qind në 2015 nga 2 për qind që ishte vlerësimi i 6 muajve më parë. Ndërsa për Francën vlerësimi u ul në 0.7 për qind nga 1.5 për qind që vlerësohej në maj.

“Nuk ka një përgjigje të vetme për sfidat me të cilat përballet ekonomia europiane”, deklaroi Pierre Moscovici, shefi i ri ekonomik i komisionit. “Ne të gjithë duhet të marrim përgjegjësitë tona, në Bruksel, në kryeqytetet kombëtare, apo në rajonet tona, për të gjeneruar rritje ekonomike dhe nxisim punësimin real për qytetarët tanë”, shtoi ai.
Eurozona ka mbetur shumë prapa homologeve të saj, pasi ekonomia amerikane u rrit me hapin më të shpejtë në një dekadë në tremujorin e tretë të këtij viti, ndërsa Britania e Madhe është ekonomia më e shpejtë në grupin e G7-ës.

Komisioni Europian rriti parashikimin për Britaninë e Madhe në 2.7 për qind vitin e ardhshëm nga 2.5 për qind që ishte vlerësimi i majit. Ekzekutivi europian tha më tej se “rreziqet për perspektivën e inflacionit mbeten të balancuara”, por çmimet do të rriten 0.5 për qind për këtë vit dhe 0.8 për qind vitin e ardhshëm. Komisioni pranoi se shkurtimet në shpenzimet publike dhe ngadalësimi i ekonomisë globale po transmetojnë probleme në Eurozonë. /Telegrafi/