Site icon Telegrafi

Ulët punësimi në SHBA

Pas disa muajsh rritjeje, krijimi i vendeve të punës në SHBA u ngadalësua në mënyrë të konsiderueshme gjatë muajit maj, kur u krijuan vetëm 38 mijë vende pune. Ky është niveli më i ulët i pesë viteve të fundit.

Por, duke qenë se më pak njerëz janë në kërkim të punës, niveli kombëtar i papunësisë ra nga 5% në 4.7%, niveli më i ulët i papunësisë që në vitin 2007.

Ekspertët thonë se ngadalësimi i krijimit të vendeve të punës është ndoshta një anomali e përkohshme, por mund ta shtyjë bankën qendrore të rrisë së shpejti normat e interesit.

Punësimet e reja në SHBA ranë ndjeshëm gjatë muajit mars, me humbjet më të shumta në sektorin e manifakturës dhe të energjisë.

“Nuk është një raport frymëzues. Edhe arsyeja pse ra niveli i papunësisë është sepse ka më pak njerëz në kërkim të punës”, thotë Gus Faucher, ekspert financiar.

Sidoqoftë, Faucher beson se shifrat zhgënjyese janë të përkohshme dhe se do të rikthehet rritja në muajin qershor. Por, ai thotë se shifrat e reja mund t’i shtyjnë zyrtarët e bankës qendrore që të rrisin dy herë normën e interesit gjatë vitit 2016.

“Nuk ka shumë gjasa të ndodhë në qershor, por mund të rritet norma e interesit në korrik,\” thotë Gus Faucher, ekspert financiar.

Gjithçka mund të ndryshojë nëse vazhdon niveli i ulët i krijimit të vendeve të punës. Dhe gjatë një viti elektoral, gjithnjë fajësohet partia në pushtet.

“Partia në pushtet lavdërohet apo fajësohet, pavarësisht nëse e meriton apo jo. Tashmë ndodhemi në një situatë të çuditshme kur një ekonomi që është përmirësuar shumë, nuk po perceptohet se po ecën mirë. Kemi zbritur në nivelin 4.7% të papunësisë që do të thotë praktikisht punësim i plotë”, thotë Ethan Harris, ekspert i sektorit financiar.

Kompanitë amerikane po i shikojnë gjërat në perspektivë. Një studim thotë se kompanitë vazhdojnë të punësojnë njerëz.

“Kompanitë mendojnë se do t’u duhen më shumë punonjës dhe kanë hartuar plane konkrete për punësim në të ardhmen. Ky është një tregues se e shikojnë pozitivisht ekonominë”, thotë analistja e tregut të punës Vallerie Rainey.

Megjithëse tregjet financiare po reagojnë ndaj rënies së krijimit të vendeve të reja të punës, ekspertët thonë se ekonomia amerikane është më e fortë se ç’tregojnë këto shifra më të fundit. /Telegrafi/

Exit mobile version