Site icon Telegrafi

Ulet numri i lindjeve, Gjirokastra dhe Elbasani vendet më problematike

Lindjet dhe shtesa natyrore e popullsisë vijojnë të shënojnë rënie në Shqipëri edhe për vitin 2019.

Sipas INSTAT-it, numri i lindjeve në total, deri në muajin tetor është 19751 persona, teksa krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2018, shifrat janë 11.3 për qind më të ulëta.

Numri më i madh i lindjeve, për tremujorin e tretë 2019 regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 2.410 lindje. Numri më i ulët i lindjeve, regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, me 115 lindje, duke pasur një rënie prej 18.4 për qind në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2018. Dhjetë nga dymbëdhjetë qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të lindjeve krahasuar me tremujorin e tretë 2018. Rëniet më të mëdha të lindjeve në përqindje, gjatë kësaj periudhe e shënojnë: qarqet Gjirokastër me 18.4 për qind dhe Elbasan me 14.9 për qind. Qarqet, të cilat kanë pësuar rritje të numrit të lindjeve janë Kukësi me 1.1 për qind dhe Vlora me 0.5 për qind.

Në 10 vjeçarin e fundit, shifrat e shtimit të popullsisë në Shqipëri kanë rënë ndjeshëm, teksa rënia është shumë e madhe dhe më e shpejtë se në vendet e tjera evropiane.

Disa vite më parë, ky tregues ishte dukshëm mbi mesataren evropiane, ndërsa aktualisht është më i ulët se sa kjo mesatare.

Sipas një raporti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nëse vazhdohet në këtë ritëm, në fund të shekullit, Shqipëria do të ketë vetëm një milion banorë. /Euronews.al/

Exit mobile version