Mjekët amë në Maqedoninë e Veriut thonë se në ordinancat e tyre është shtuar numri i pacientëve me probleme serioze të organeve të frymëmarrjes, si pasojë e tymosjes së duhanit.
“Na vijnë pacientë me kancer në mushkëri, ndërkohë që jetojnë në viset malore ku nuk ka kurrfarë ndotjeje të ajrit”, thotë për Radion Evropa e Lirë, kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Amë, Lilia Çollakova-Dervishova.
Ndërkaq, të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë nxjerrë në pah se rreth gjysma e popullsisë në Maqedoninë e Veriut konsumon duhan, përkatësisht përqindja e përdoruesve aktualë të duhanit arrin në 45.4 për qind të qytetarëve të vendit.
Në bazë të këtyre të dhënave, rreth 70 për qind e duhanpirësve kanë filluar të tymosin duhan nën moshën 21-vjeçare. Kurse, në bazë të përkatësisë gjinore, janë meshkujt ata që tymosin më shumë duhan.
Në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë theksohet se Maqedonia e Veriut si shtet radhitet në krye të listës së vendeve me përqindjen më të lartë të qytetarëve duhanpirës.
Po ashtu, sipas OBSH-së, Maqedonia e Veriut vazhdon të zbatojë në mënyrë joadekuate masat e kontrollit të duhanit pavarësisht se ka ratifikuar Konventën Kornizë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vitin 2006 për Kontrollin e Duhanit.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Mexhiti, ka paralajmëruar se në vitin 2024 do të ketë masa më të rrepta për duhanpirësit, por pa dhënë asnjë detaj se çka përfshijnë ato.
“Në vitin e ardhshëm 2024 do të ketë masa rigoroze për pirjen e duhanit dhe është nënshkruar një protokoll me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Le ta mendojnë duhanpirësit se si më tej”, ka thënë Mexhiti më 25 dhjetor.
Lilia Çollakova-Dervishova pohon se të dhënat që tregojnë për uljen e moshës së duhanpirësve janë alarmuese për sa i përket shëndetit të përgjithshëm të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Për këtë ajo fajëson sjelljet e të rriturve në prani të fëmijëve dhe mungesën e kulturës.
“Fëmijët, duke i parë të rriturit, pirjen e duhanit e marrin si diçka të mirëqenë. Mendoj se Qeveria duhet t’i kthejë dispozitat rigoroze”, konsideron ajo.
Instituti i Shëndetit Publik në fushatat për mbrojtjen e të rinjve, rekomandon: ndalimin e plotë të përdorimit të duhanit brenda dhe afër shkollave, edukimin e rregullt të nxënësve, si dhe më shumë shërbime për t’i ndihmuar gjeneratat e reja që ta lënë duhanin.
Në bazë të Ligjit për mbrojtjen nga duhani, tymosja e cigares lejohet jashtë ambienteve afariste dhe ambienteve të hoteliere, në tarraca ose kopshte verore. Nëse konstatohet parregullsi, gjobat për kompanitë sillen nga 2.000 deri në 4.500 euro, kurse nga 500 deri në 1000 euro për personin përgjegjës të kompanisë.
Tymosja e duhanit nga qytetarët në vende e mjedise ku një gjë e tillë është e ndaluar dënohet me gjobë nga 150 deri në 300 euro.
Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, i cili është përgjegjës për kontrollin e duhanit në ambientet e hotelerisë dhe në ambiente publike, kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se nga 1 janari deri më 30 nëntor të këtij viti kanë shqiptuar 328 gjoba në përputhje me Ligjin për mbrojtjen nga duhani pasi janë kryer 2000 kontrolle.
Nga gjobat e shqiptuara për mosrespektim të Ligjit për mbrojtje nga duhani Inspektorati tha se ka mbledhur rreth 416 mijë euro./REL/