Site icon Telegrafi

Ulet çmimi i metër katrorit të banesave në Maqedoni

Çmimi për metër katrorë i banesave në Maqedoni vitet e fundit është në rënie të vazhdueshme, por kjo nuk i pengon investitorët e ndërtimit të vazhdojnë me ndërtimin e banesave të reja. Optimizmi i tyre bazohet në atë se ndërtimi i banesave për një periudhë të gjatë do të jetë sektor tërheqës për investim, i cili mbështetet nga numrat të cilat tregojnë rritje të kredive banesore, ku është shtuar kërkesa, shkruan gazeta KOHA.

Sipas të dhënave të fundit nga Banka Popullore e Maqedonisë, në tre muajt e fundit të vitit 2016 është vërejtur rënie e çmimit të pasurive të patundshme me ritëm të përshpejtuar dhe indeksi i çmimeve të banesave në nivel vjetor është më i ulët për 0,9 për qind. Por nga ana tjetër, te ndërtimi i ndërtesave të banimit edhe më tej është regjistruar normë dyshifrore e rritjes, gjegjësisht norma mesatare vjetore e rritjes së numrit të ndërtesave të banimit në tre tremujorët e parë të vitit 2016 është 26,4 për qind. Njëkohësisht, statistika e Bankës Qendrore tregon rritje solide të kredive banesore në tremujorin e katërt të vitit 2016, që mund të jetë shenjë se ende jemi larg nga “plasja e balonit” të pasurive të patundshme.

“Duke pasur parasysh gjendjen e ofertës dhe kërkesës së pasurive të patundshme, indikatorët na çojnë drejtë ndryshimeve më të rëndësishme”, thonë nga Banka Qendrore.

Banka Popullore e Maqedonisë prej vitit 2013 e publikon indeksin e çmimeve të banesave, si përgjigje ndaj aktualitetit dhe rritjes së interesit publik për të dhëna në lidhje me tregun e pasurive të patundshme. Këtë indeks e përgatisin shërbime profesionale të BPRM-së dhe i referohet territorit të Shkupit, ndërsa të njëjtit i referohen shpalljeve për shitje në kryeqytet, të publikuara nga agjencitë të cilët merren me shitjen e pasurive të patundshme.

Kjo metodologji nuk përputhet me metodologjinë e EUROSTAT-it, por nga Enti shtetëror statistikor kanë paralajmëruar se së shpejti do të fillojnë ta publikojnë edhe këtë indeks. Statistika shtetërore deri më tani jep të dhëna vetëm për çmimin mesatar të një metër katrori sipërfaqe për banim dhe lëvizja e këtij treguesi konfirmon se rritja ndërtimit të banesave dhe një sërë masash me të cilët u lehtësua qasja e kredive të volitshme banesore, e ulën çmimin e tyre.

Sipas statistikës, çmimi mesatar në vitin 2016 në nivel të vendit ishte 43.091 denarë për metër katror, që është për 6,5 për qind më pak sesa në vitin e kaluar. Në Shkup, çmimi mesatar i një metër katrori është 50.829 denarë, që është për 3,9 për qind më pak në krahasim me vitin 2015, ndërsa në vendet tjera në Maqedoni metër katrori ishte 32.721 denarë, që është për 1,6 për qind më pak në krahasim me vitin 2015.

Sa i përket çmimit mesatar në një metër katrorë, në gjysmën e dytë të vitit 2016 ai është zvogëluar për 5,9 për qind në krahasim me gjysmën e parë, ndërsa në Shkup rënia është 3,8 për qind. Çmimet mesatare të përmendura për një metër katrorë sipërfaqe për banim nuk përfshijnë TVSH-në, përcjell KOHA.

Nga ana tjetër, evidenca e cila mbahet nga Regjistri i çmimeve dhe qirave në Agjencinë për Kadastër tregon se në tërë teritorin e Republikës së Maqedonisë në tremujorin e tretë të vitit të kaluar ka 2.807 banesa të pashitura, të cilat ofrohen në tregun e pasurive të patundshme, ndërsa në fazën e ndërtimit janë 8.332 banesa. Në tremujorin e tretë, sipas Regjistrit, janë realizuar 646 shitje të ndërtimeve të reja, gjegjësisht për 147 më shumë në krahasim me tremujorin e dytë, kur janë regjistruar 499 shitje.

“Mund të përfundojmë se numri i ndërtimeve të reja dhe ndërtesat të cilat janë në fazën e ndërtimit, gjegjësisht oferta e banesave në treg e përmbush kërkesën dhe momentalisht kemi rezerva të mjaftueshme të ndërtimeve të reja. Sa i përket çmimeve në tregun e pasurive të patundshme, ato janë stabile dhe me rënie të lehtë në disa komuna në aspektin e qirasë. Në periudhën në vazhdim presim të vazhdojë rritja e ofertës, gjegjësisht rritje të numrit të ndërtimeve të reja dhe të vijë një rënie e butë e çmimeve të pasurive të patundshme si rezultat i aktivitetit të reduktuar të tregut të pasurive të patundshme”, deklaroi Sllavço Trpeski, drejtori i Agjencisë së kadastrës.

Derisa çmimet e patundshmërive tek ne bien, në Bashkimin Evropian, të matur sipas indeksit të çmimeve të banesave, u rritën 4,3 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2016 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Sipas të dhënave nga Zyra evropiane e statistikave “Eurostat”, në mes të vendeve anëtare të BE-së, në tremujorin e tretë të vitit 2016 indeksi i çmimeve të banesave shënoi rritje më të lartë në Hungari (11,6 për qind), Letoni (10,8 për qind) dhe në Bullgari (8,8 për qind).

Nga ana tjetër, rënie të indeksit kishte në Qipro (-3,3 për qind) dhe në Itali (-0,9 për qind). Krahasuar me tremujorin paraprak, rritje më të madhe të çmimeve të pasurive të patundshme është regjistruar në Maltë (5,4 për qind), Irlandë (4,7 për qind), Estoni, Lituani (3,4 për qind) ndërsa banesat u liruan edhe në Rumani (-0,7 për qind).

Exit mobile version