Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në një konferencë për media, ka bërë të ditur se kanë ulur ndjeshëm tarifat për shërbimet konsullore në ambasadat e Kosovës.
Ajo ka shtuar se ulja e këtyre tarifave ka ardhur pas analizimit të tyre ku kanë parë se të njëjtat kanë qenë shumë të larta.
“Kosova është e përkushtuar jo vetëm për të organizuar ambient sa më të favorshëm për qindra mërgimtare që vijnë për t’i kaluar pushimet në shtëpitë e veta në Kosovë, por edhe për të përmirësuar ndjeshëm cilësinë në shërbimet konsullore të misioneve diplomatike. Kemi konstatuar se tarifat për shërbimet konsullore, shumica prej tyre, janë mjaft më të larta sesa shërbimet e njëjta që merren në Kosovë. Jam krenare të paraqesë për ju tarifa të reja konsullore e cila përbën jo vetëm ulje të dukshme, por mënjanon disa anomali të panevojshme, si pagesat e larta për dokumente e cila ndodhet brenda sistemit në të cilin shërbehen konsullatat tona”, ka thënë ajo.
Gërvalla u ka bërë thirrje mërgimtarëve, veçanërisht ata që janë në Gjermani, të kërkojnë rifitimin e shtetësisë së Kosovës.
Për rifitimin e shtetësisë, sipas Gërvallës, aplikimi është falas dhe pa procedura të tej zgjatura.
“Në Gjermani, në të cilin jeton numri më i madh i mërgimtarëve tanë, ka hyrë në fuqi në fund të qershorit ligji për dyshtetësi. Është bërë urgjente jo vetëm ulja e tarifave për rifitimin e shtetësisë së Kosovës, por edhe të thjeshtëzimit të procedurave. Sa i vështirë dhe sa i dhimbshëm për ata mbi 50 mijë qytetarë të Kosovës, që në mungesë të alternative, e kanë dorëzuar shtetësinë. Konsullatat tona iu presin krahëhapur për të aplikuar sa më shpejt dhe pa burokraci të panevojshme për rifitimin e shtetësisë”, ka deklaruar ministrja.
Ministrja është pyetur edhe për vendimin e BE-së, për bartësit e pasaportave serbe, ku është shprehur se ka akterë brenda Bashkimit Evropian që po punojnë për ndarjen e komunitetit serb në Kosovë.
“Për pasaportat që nuk lëshohen nga institucione legjitime ne s’kemi hezituar dhe t’i paralajmërojmë e informojmë akterët e rëndësishëm. Ata (BE) kanë marrë një vendim që jo vetëm sipas mendimit tonë, çon në rrugë të gabuar, por bën të kuptosh se disa akterë në BE s’janë të interesuar në integrimin e pakicës serbe në Kosovë, por punojnë në ndarjen e tyre”, tha ajo. /Telegrafi/