Site icon Telegrafi

Ulen porositë për “Made in Germany”

Kërkesa e dobët nga jashtë ka shkaktuar një rënie më të madhe sesa pritej në porositë industriale të Gjermanisë gjatë janarit, gjë që tregon se fabrikat në ekonominë më të madhe të Europës mund të pësojnë ngadalësim në muajt që vijnë.

Mbyllja e fabrikave gjatë Krishtlindjeve dhe pushimeve të Vitit të Ri shpjegojnë gjithashtu këtë rezultat. Kontratat për mallrat “Made in Germany” ranë me 3.9 për qind në janar, pas rritjes me 3 për qind në dhjetor, sipas Zyrës Federale të Statistikave. Treguesi shënoi nivelin më të ulët që prej janarit 2017 dhe rezultoi poshtë projeksioneve të analistëve.

Ministria e Ekonomisë deklaroi se tendenca e përgjithshme në porositë industriale është ende pozitive, pavarësisht rënies së janarit. Kërkesa nga jashtë ra me 4.6 për qind në janar, nxitur nga rënia e porosive me 6 për qind nga vendet e Eurozonës.

Porositë për mallrat kapitale ranë me 5 për qind, kërkesa për mallrat e ndërmjetëm, me 3.3 për qind ndërsa prodhuesit e mallrave të konsumit regjistruan një rritje me 2.4 për qind. /Telegrafi/

Exit mobile version