Ulja e normës së interesit nga Banka e Shqipërisë ka ndihmuar ekonominë duke i bërë kreditë për biznesin dhe individët më të lira. Por ajo ka dhe një pasojë negative; zhvlerësimin e depozitave të qytetarëve.
“Të mos harrojmë që interesat e depozitave janë 1 për qind duke mos mbuluar as inflacionin. pra vlera reale e depozitave ulet. Në këto kushte individët kërkojnë forma të tjera”, shprehet Arjan kadareja, ekspert i ekonomisë.
Sipas Bankës së Shqipërisë krahasuar me një vit më parë, depozitat në lekë janë ulur me 4 për qind. Për shkak se mbajtja e parave në bankë është investim me humbje, një pjesë e individëve po i zhvendosin kursimet e tyre në bonot e qeverisë, apo fondet e investimeve, të cilat ofrojnë më shumë fitime. Por këto instrumente kanë një risk pak më të lartë.
“Natyrisht sepse fondet e investimeve nuk janë të siguruara siç sigurohen depozitat, por prapë pa risk nuk ka”, tha Arjan kadareja.
Të menaxhosh kursimet kur normat e interesit janë të ulëta është e vështirë. Por cila është këshilla e ekspertëve për ata që kanë kursime?
“Në kushtet e normave të ulëta të interesit duhet të synosh të bësh investime edhe me rrezik, por të balancuar portofolin të diversifikuar. Nuk ka sens të mos blesh investime afatgjata, për shembull obligacione të qeverisë. Edhe investimet në fondet e investimit duhet të konsiderohen si pjesë e portofolit të investimeve”, thotë eksperti.
Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar se norma bazë e interesit nuk do të ndryshojë të paktën deri vitin e ardhshëm. Rrjedhimisht interesat reale të depozitave do të vazhdojnë të mbeten negative, çka me gjasa do të nxis më shumë qytetarë që të kërkojnë alternativa të tjera për të investuar kursimet e tyre. /Telegrafi/