Në intervistën e parë pas sulmit të 12 gushtit, shkrimtari Salman Rushdie e definon sulmuesin e tij si “idiot”.
“Gjithmonë kam menduar se librat e mi janë më interesantë se jeta ime. Fatkeqësisht, bota duket se nuk është dakord”, thotë ai.
Edhe para se të lexonim këtë fjali, më e bukura e një interviste me redaktorin e New Yorker që u shfaq në faqen e revistës, mjafton të shihni foton – një portret bardhezi i realizuar nga Richard Burbridge – për të kuptuar se sulmi barbar i 12 gushtit të vitit të kaluar ia privoi Salmanit një sy, të djathtin, si dhe përdorimin e dorës, të majtën, por jo inteligjencën e tij vezulluese, vështrimin mbi botën, sensin e theksuar të humorit me të cilin ka ngacmuar që në universitet, miq dhe armiq.
Fanatiku që u përpoq të vriste për fetvanë e dekretuar nga Ayatollah Khomeini më 1989, padyshim që nuk i kishte lexuar Vargjet satanike. Ai është në pritje të gjyqit.
Por si është Rushdie? “Epo, kam qenë më mirë, por duke marrë parasysh atë që ndodhi, nuk jam edhe aq keq. Shumica e plagëve janë shëruar, në esencë. Kam ndjeshmëri në gishtin e madh dhe tregues dhe në gjysmën e poshtme të pëllëmbës së majtë; kam bërë shumë terapi rehabilituese dhe më kanë thënë se jam shumë më mirë”.
Fatkeqësisht, fizioterapia nuk mund t’ia largojë ankthet që e mundojnë që nga ajo ditë dhe të shkruarit nuk është vetëm fizikisht më i vështirë (ai nuk mund ta përdorë tastierën me dorën e majtë: “Shkruaj ngadalë. Por, përmirësohem”), por, padyshim, edhe në aspektin psikik (“E kam shumë, shumë të vështirë të shkruaj. Ulem dhe asgjë nuk ndodh”).
Rushdie, shkrimtar prodhimtar, nuk ka qenë kurrë i bllokuar, por tani e gjen veten të bllokuar në mënyrë krijuese. Libri që ai po mendonte para sulmit nuk merr formë; mund të tregonte përvojën e të qenit i sëmurë, në vetën e parë, jo në të tretën siç bëri në autobiografinë Joseph Anton.
Për momentin, lexuesit janë të kënaqur me librin e tij të ri që del sot në botë, Qyteti i fitores, i rishikuar mirë: historia e trilluar e një qyteti që u ngrit në jug, në Indinë e shekullit XIV. Historia rrëfehet nga një vajzë e vogël e cila, e frymëzuar nga perëndesha Parvati, do të jetojë për 247 vjet: romani që është i ndarë në katër pjesë – Lindja, Mërgimi, Lavdia, Rënia – tregon eposin e perandorisë së lindur nga djegia e të vejave në një betejë të humbur nga burrat, e lindur nga dhimbja për t’i dhënë dinjitet, të drejta dhe fuqi të barabartë burrave dhe grave.
“Fitorja u përket fjalëve”, shkruan vajza e vogël, tashmë shumë e vjetër, në poezinë e saj sanskrite që na e përkthen rrëfimtari Rushdie i maskuar. Sepse, fjalët janë më të forta se injoranca, dhuna, lakmia e njerëzve që shkatërruan. /Burimi: Il Corriere della Sera/Në shqip nga: Gazetasi.al/