Site icon Telegrafi

Ukshin Hoti – vizionar i madh i kombit

Të shkruash për figurën e Ukshin Hotit nuk është lehtë, jo se ne nuk e njohim personalitetin e tij mbikohor, por se për të shkruar për të duhet së pari të gjejmë kodin e të menduarit dhe filozofisë së tij politike. Gjetja e kodit apo kapja e tij në tërësi do të na zbulonte edhe thelbin apo do të na e kornizonet mendimin e tij dhe ne do të mund më lehtë të zbërthenim ato dhe vizionin e tij për kombin shqiptar evropian dhe identitetin historik evropian të tij.

Unë personalisht aq sa kam arrit të studioj në bazë të veprave të tij si në dorëshkrime ashtu edhe nga ato të botuara, kam arritur në këtë përfundim se “veprat e tij të pabotuara në dorëshkrime dhe të botuara janë një nga veprat monumentale rreth qenësisë së kombit shqiptar evropian, identitetit të tij, kulturës, pastaj fatit të tij dhe të ardhmes së tij, pra rikthimit në familjen europiane dhe posaçërisht mendimi politik i tij sipas frymës së etërve për një Shqipëri të natyrshme europiane.

Ai si personalitet mbikohohr dhe njeri i dijes arriti të vë para vetës dy synime tepër domethënëse: së pari; kuptimin e plotë të nevojës që kombi duhet të zgjohet kombëtarisht dhe të ringjallet sipas rrënjëve të tij historike, dhe së dyti; të rivendosjes së fatit të kombit në shinat e natyrshëm të historisë, dinamikës dhe zhvillimeve të përbashkëta me familjen europiane.

Ukshin Hoti është një Montesque shqiptar, një mendimtar si Ruso dhe një kritikë kombëtar syhapur si Fichte. Ai është i vetmi mendimtar politik i shekullit të tij që nuk e la të pushoj mendimi politik shqiptar në kuptimin e ndrydhjes së çështjes, pastaj procesit historik, ndikimeve të ardhshme, ato të kohës së tij historike-kombëtare dhe përhapjes së parimeve të lirisë, demokracisë autentike, gjenezës dhe fatit të plotë të kombit shqiptar evropian.

Ai vërtetë ishte një politolog praktik, pse them kështu, sepse ai e shihet teorinë dhe mendimin politik të tij në dritën e realitet praktik të mishërimit të idealit të tij, ai e mishëroi sepse u bë një nga prijësit e të realizuarit të mendimit të tij politik dhe këtë e bënte edhe në bashkëbisedime apo simpoziume që mbante në vende të ndryshme në botë sidomos gjatë qëndrimit të tij në SHBA dhe Slloveni, por edhe gjatë leksioneve që mbante në universitetin e Prishtinës.

Magjistër Ukshin Hoti nuk e kufizoj mendimin e tij politik dhe filozofinë e tij në kufijtë e shkencës teorike as në kufijtë idealit të tij, por ai shpërtheu më idetë dhe mendimin e tij politik duke tejkaluar kufijtë e teorisë shkencore dhe idealizmit. Sepse ai e donte më tepër efektin e teorisë shkencore mbi mendimin politik të tij rreth çështjes kombëtare shqiptare si dhe dëshironte me ngut të zbriste idealin si të etërve të tij ashtu edhe idealin e tij të forcuar mbi parimet e etërve në botën praktike, thjesht ta bënte vizion të përkthyer në realitet, ta plotësonte atë që kishte mbetur si testament politik e kombëtar i etërve për natyralizimin e bashkimit të kombit shqiptar evropian dhe rikthimit të tij në familjen europiane.

Vlera e mendimit të tij politik dhe filozofik janë vlera të pakapërcyeshme shkencore dhe praktike, janë vlera që burojnë nga një njeri dhe personalitet i dijes dhe që mbi të vërtetën historike të kombit shqiptar ka ngre mendimin e tij politik në rrethana tepër të vështirë mendim ky që mori trajtën e filozofisë praktike të futjes së këtij mendimi në rrjedhat e kohës dhe të proceseve që kalonte kombi. Madje ky mendim përbënte në realitet edhe natyrën e zgjidhjes, pastaj analizën e sintezën e thellë të gjetjes së rrugës për të dal te qëllimi i natyrshëm dhe historik i kombit shqiptar evropian.

Ai si mendimtar e shihet tepër qartë se liria e kombit shqiptar nuk mund të blihej as të bëhej kompromis me fatin e tij, sepse për të liria ishte vlera thelbësore e filozofisë së tij politike ndërsa fati i kombit dhe e ardhmja e tij ishte mendimi i tij politik e intelektual si roje e këtij fati që të mos gabohet sërish ashtu siç u gabua me parë gjatë traktateve të ndryshme si dhe gjatë kohës së pushtimeve barbare ndaj kombit shqiptar evropian.

Liria dhe fati i kombit është i lidhur ngushtë njësoj si truri me zemrën, kështu që një kombi që i mungon liria, por që ai funksionon ashtu si zemra brenda trupit pa lidhje me trurin është një funksionim i panatyrshëm, një mungesë e pafalshme historike një nevojë e natyrshme që kërkon të harmonizohet, të bëhet lidhja e natyrshme e zemrës me trurin, pra e lirisë me fatin e përgjithshëm të kombit. Në këtë mënyrë e shihet edhe Ukshin Hoti lirinë dhe fatin e kombit shqiptar si një domosdoshmëri e lidhjes së përjetshme dhe të natyrshme të tyre.

Me pak fjalë mendoj dhe duhet nënvizuar tepër qartë këtë gjë se blerja e lirisë është një fantazi e tmerrshme e individëve pa identitet, e popujve pa shpirt e doktrinarëve të verbër e egoist ideologjik e politik si dhe e popujve pa atdhe dhe nder.

Ukshin Hoti mund të themi përnjëmend se ai është dishepull i filozofisë dhe i mendimit politik të etërve tanë të kombit shqiptar evropian, poashtu ai është një vizionar i madh i kombit një intelektual i sfidave të mëdha të kohës, ai është vlerë e shkencës së botës politike shqiptare dhe patriot besnik i kombit shqiptar evropian.

Si shkenca shqiptare ashtu edhe djepi i kombit shqiptar ka kohë që po e ndien mungesën e mendimtarit më të thellë të politologjisë shqiptare të kohës së tij dhe birit të vyer e mendjemprehtë të lirisë, dhe unitetit të kombit shqiptar evropian. 

Exit mobile version