Kolosi dhe idealisti i madh shqiptar, Ukshin Hoti ishte paraprijës i proceseve që do të vijnë më vonë. Kështu u tha në 75 vjetorin e lindjes së tij, në tryezën shkencore “Mendimi politik e shkencor i Ukshin Hotit për zgjidhjen e çështjes shqiptare në kontekstin evropian”.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi vlerësoi lart veprimtarinë e Ukshin Hotit, duke thënë se një intelektual si ai, nuk e thyen dot, duke shtuar se u bë simbol i qëndresës e përkushtimit dhe si i tillë do të mbahet në mend gjatë.
“Është thënë dhe ashtu duhet të jetë, të mëdhenjtë, heronjtë dhe martirët vetëm ditëlindje kanë. Ukshin Hotin e kam njohur ende pa e parë. Vepra e tij ishte bërë frymëzuese për njerëzit e rezistencës shqiptare kundër shtypjes e represionit serb, të maskuar nën maskën e komunizmit jugosllavë në fillim të viteve 1980. Mënyra e argumentimit të idesë për Republikën e Kosovës, faktet bindëse dhe të mbështetura mbi të dhëna shkencore, e sfiduan sistemin ‘e vlerave’ të Jugosllavisë së asaj kohe. Mirëpo, regjimet shtypëse e totalitare nuk e pranojnë forcën e argumentit, prandaj edhe njerëzit mendjendritur, siç ishte Ukshin Hoti, duheshin hequr nga skena”, tha ai.
Sipas tij, argumentimi me fakte e dëshmi të pakundërshtueshme, i sollën vështirësi të mëdha profesor Hotit, porse këtu qëndron edhe madhështia e tij, pasi që në këtë mënyrë kishte arritur të bëjë ndryshimin në mënyrën e të menduarit të shumë njerëzve.
Trajtimi i pikëpamjeve të Ukshin Hotit, si dhe ruajtja e trashëgimisë dhe relikteve të tij, sipas të parit të Rahovecit, janë ndër obligimet morale e institucionale. Kështu ai tha se përfundimi i projekti të Shtëpisë Muze, mbledhja dhe sistemimi veprimtarisë së tij, po ashtu janë ndër obligimet që presin të përmbushen.
Ndërsa, kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, tha se Ukshin Hoti do të jetë përgjithmonë një ndër personalitetet më të shquara të kombit.
“Ne krushjanët jemi me fat që kemi jetuar e punuar me profesorin e nderuar, bacën Ukë, siç e quanim. Ishte rritur dhe burrëruar në këtë ambient ku nderi, puna dhe përkushtimi ishin vlera të çmuara. Fëmijëria e tij nuk ishte e lehtë, mirëpo arritjet e tij personale janë rezultat i vendosmërisë së pashoqe. Arritja në krye të elitës intelektuale të Kosovës në rrethana aq të vështira dhe mënjanimi i tij i dhunshëm vijnë si rezultat i qëndrimeve konsekuente në interes të popullit të tij. Për këto ne jemi krenar dhe i jemi mirënjohës për të gjitha që ka bërë për kombin tonë”, tha ai.
Studiuesi Arben Fetoshi tha se rikthimi i vëmendjes së BE-së në Ballkan 15 vjet pas Samitit të Selanikut dhe kushtëzimi i Serbisë me Kosovën, konfirmojnë vizionin e Ukshin Hotit se “historia e Evropës së bashkuar do të fillojë doemos nga fakti se si do të zgjidhet problemi shqiptar”.
Në kumtesën e tij “Ukshin Hoti, një doktrinë për modelin evropian”, Fetoshi thotë se Ukshin Hoti i ka kushtuar vëmendjen e duhur shkencore edhe rolit të fesë në proceset politike.
“Ukshin Hoti sugjeron të mbështetemi në traditën e tolerancës fetare si vlerë monumentale e civilizimit shqiptar. Në ‘Bisedë përmes hekurash’, ai insiston në këtë fakt, i bindur se vetëm të tillë mund të jemi të dobishëm edhe për Evropën…. Insistimi i tij dëshmon se kjo s’është thjesht një përgjigje, por një mendim i peshuar mirë që përmban zgjidhjen e munguar në raport me ekstremizmin islamik. Një mendim që përbën kontribut të rëndësishëm edhe për modelin evropian, për Evropën e qytetarëve të lirë e të barabartë, pa marrë parasysh përkatësinë fetare”, theksoi Fetoshi.
Po ashtu, ai theksoi se integrimi evropian kërkon që vendi të drejtohet kah Ukshin Hoti, pasi që Kosovës i duhet një politikë e qartë dhe kompetente në përmbushjen e qëllimeve.
Me një fjalë rasti para të pranishmëve foli edhe deputeti Andin Hoti, i cili duke kujtuar babain e tij, tha se kumtesat e sotme tregojnë më së miri për veprat e të atit.
“Duke iu bërë thirrje institucioneve të vendit tonë, që u kam bërë thirrje edhe më herët, dhe duke uruar shumë që veprat e babit të cilat kanë qenë të botuara do të ribotohen dhe ato që nuk kanë qenë të botuara natyrisht me bashkëpunimin tonë, të familjes do të botohen të jenë në shërbim të gjeneratave tona dhe gjeneratave të ardhshme. Të krijojmë identitet politik në shtetndërtim dhe shtet-zhvillim të Kosovës dhe të jetë një udhërrëfyes që është i pashmangshëm drejt asaj që e kemi synim të gjithë, e që është bashimi jonë kombëtar në një shtet të vetëm… Dua t’i them babit urime ditëlindjen e shpresoj që në ditëlindjen tjetër të jemi bashkë”, u shpreh ai.
Ndërsa, kur nisi debati foli shoku i Ukshin Hotit, Halil Koliqi, kurse, bashkëpunëtori Rexhep Hoti. Ky i fundit pati kritika për tryezën, duke thënë se është dashur të flasin njerëzit më të avancuar të mendimit politik. /Telegrafi/