Zyrtarë amerikanë kanë konfirmuar se Ukraina ka filluar me përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi kundër forcave ruse – të cilat fshehtazi ia dorëzoi SHBA, shkruan BBC.
Armët që u dërguan si pjesë e një pakete të mëparshme ushtarake nga SHBA, kanë arritur këtë muaj në Ukrainë, transmeton Telegrafi.
Zyrtarët thanë se ato nuk janë zbuluar publikisht, kurse ato janë përdorur të paktën një herë për të sulmuar pozicionet ruse në Krimenë e pushtuar.
E një paketë tjetër e ndihmës ushtarake nga SHBA pritet të arrijë në Kiev së shpejti.
Kjo është arritur pasi presidenti amerikan Joe Biden ka nënshkruar menjëherë marrëveshjen e arritur për ndihmën e paketës së re ushtarake për Ukrainën, që kap vlerën e 61 miliardë dollarëve.
Raketat tashmë u janë dorëzuar dhe bëhet fjalë për raketa ATACMS, për të cilat ishte folur shumë nga ukrainasit që me ngulm i kërkonin.
Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë furnizuar Ukrainën me raketat e sistemit raketor ATACMS me rreze të mesme veprimi – duke hezituar të dërgojë më të fuqishme nga frika se konflikti mund të zgjerohet përtej kufijve të Ukrainës.
Madje amerikanë kishin brenga se me dërgimin e armëve me rreze të gjatë, ukrainasit mund t’i përdorin për të sulmuar brenda territorit rus.
Në anën tjetër ukrainasit prej kohësh kanë kërkuar këtë sistem raketor që mund t’i shkrep raketat në një distancë prej 300 kilometra. E Joe Biden për dërgimin e tyre kishte dhënë dritën e gjelbër në mënyrë të fshehtë në shkurt të këtij viti.
Mbetet e paqartë sesa armë të tilla tashmë janë dërguar në Ukrainë, por këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan ka njoftuar se Washington planifikon të dërgojë më shumë armë të tilla. /Telegrafi/