Ukraina e ka bërë çështje politike përballjen me Kosovën në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror të futbollit “Rusia 2018”.
UEFA më herët këtë muaj e vendosi Kosovën në Grupin I të kualifikimeve, pasi Kosova muajin e kaluar ishte pranuar në UEFA dhe FIFA dhe i ishte dhënë e drejta të garojë në ciklin e ardhshëm eliminator.
Në Grupin I bëjnë pjesë Kroacia, Finlanda, Islanda, Kosova, Turqia e Ukraina. Vetëm Ukraina prej vendeve anëtare në grup, nuk e njeh Kosovën, shkruan Koha Ditore.
Sipas kalendarit zyrtar të kualifikimeve, të publikuar në sajtin e UEFA-s, Kosova me Ukrainën do të përballet në udhëtim më 9 tetor, ndërsa në shtëpi më 6 tetor të vitit 2017. Por Ukraina me jithë faktin se ka dhënë lajmin për përfshirjen e Kosovës në grup, nuk i ka paraqitur ndeshjet me të në kalendarin e publikuar në sajtin e Federatës ukrainase të Futbollit (FFU).
FFU lidhur me ndeshjet me Kosovën po e pret një qëndrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, së cilës tashmë ia ka drejtuar një letër.
Është i pari i futbollit ukrainas, Andriy Pavelko, që ka bërë të ditur se Federata po e pret një qëndrim të Ministrisë.
“Pavelko ka thënë se FFU tashmë i ka shkruar Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe e ka pyetur sesi të veprojë në këtë situatë. Qëndrim zyrtar nga Federata për këtë nuk ka”, ka shkruar sajti ukrainas “footboom.com”. Media tjera ukrainase kanë shkruar për mundësinë që dy ndeshjet të luhen në terren neutral.
Në fakt Federata e Ukrainës nuk ka pasur ndonjë qëndrim shumë negativ ndaj futbollit kosovar. Në janar, U-21 e Ukrainës kishte luajtur ndaj U-21 të Kosovës në një turne në Turqi. Kishte fituar 2:0, ndërsa në Ukrainë kishte pasur zëra kritikë për përballjen me Kosovën, por jo edhe nga Federata.
Ukraina u paraqit në “Euro 2016”, ndërsa mbeti e fundit në Grupin C, pas Gjermanisë, Polonisë e Irlandës së Veriut. Katër prej pesë kundërshtarëve të Kosovës ishin në Evropian. Vetëm Finlanda jo. Kosova ndeshjen e parë e luan pikërisht ndaj Finlandës, më 5 shtator në Turku.