Ka mbaruar edicioni i 61-të i festivalit të këngës, “Eurovison”.
Kënga “1944” nga këngëtarja ukrainase Jamala fitoi më së shumti vota, kryesisht nga shtetet evropiane.
Juria shqiptare me maksimumin e pikëve e vlerësoi Dami Im, këngëtaren australiane dhe këngën e saj “Sound of Silence“, e cila në shenjë falënderimi bëri me duar shqiponjën.
Nëna e Jamalas është armene, ndërsa babai tatar. Origjina e saj është nga Kirgistani, por që pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në Krimenë tashmë të aneksuar nga Rusia, transmeton Telegrafi.
Jamala më herët ka thënë se tatarët e Krimesë që nga aneksimi rus i vitit 2014 jetojnë nën okupim. Kjo deklaratë kishte nxitur reagimet e Rusisë për të thënë se teksti ka përmbajtje politike, gjë që është e ndaluar sipas kritereve të Eurovisionit.
Kënga e saj që ka marrë 534 pikë flet për shpërnguljen e tatarëve nga Krimea në kohën e Stalinit. Refreni është në gjuhën tatare – fjalët që i ka dëgjuar nga stërgjyshja për rininë e humbur larg vendlindjes.
Nëna e Jamalas është e krishterë, ndërsa ajo, njëjtë si babai i saj, është myslimane. /Telegrafi/