Site icon Telegrafi

Ukraina dhe Tajvani: Në kërkim të mësimeve

Ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu, në një konferencë shtypi ku flet për ndihmën për Ukrainën (foto: Fabian Hamacher/Reuters)

Editorial i redaksisë së ditores The Guardian
Përktheu: Telegrafi.com

Ndonëse pesë mijë milje larg nga Ukraina, pushtimi i shkaktuar nga Rusia po bën që dilemat afatgjate të jenë sot në fokus të ngushtë dhe urgjent. Prej vitesh janë shtuar shqetësimet për të ardhmen e Tajvanit; në janar, ambasadori i Pekinit në ShBA ka thënë se kjo çështje mund ta sjellë Kinën dhe Amerikën në konflikt ushtarak. Demokracinë e vetëqeverisur Partia Komuniste e Kinës e ka konsideruar si provincë renegate, qëkur forcat e mposhtura të Chiang Kai-shekut u larguan atje në fund të luftës civile të vitit 1949; nga frika e reagimit, Tajvani nuk e ka shpallur kurrë pavarësinë, por thotë se tashmë është shtet sovran. Po del se udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, bashkimin e sheh si pjesë të një misioni personal të përtëritjes kombëtare.

Imazhi i një demokracie të vogël që lufton kundër një fuqie të madhe ushtarake (ose, nga perspektiva kino-ruse, e Perëndimit që i shfrytëzon të tjerët për t’i minuar interesat e tyre legjitime) po i shtynë të gjithë të mendojnë më kthjellët. Në një fjalim të rëndësishëm të tetorit të kaluar, Xi u zotua se do ta realizojë bashkimin përmes mjeteve paqësore. Megjithëse Kina është partneri më i madh ekonomik i Tajvanit, 24 milionë banorët e ishullit nuk e kanë dashur kurrë marrëveshjen “një vend, dy sisteme”, ndërsa ngjarjet në Hong Kong kanë treguar se kjo nuk është gjëja e duhur. Krijimi i avantazhit të qartë ushtarak – që do ta detyrojë Taipein dhe Uashingtonit që përfundimisht të përkulen para të pashmangshmes, pa përplasje – më së miri do t’i shërbente Pekinit.

Zgjerimi masiv i fuqisë ushtarake të Kinës, retorika gjithnjë e më e fortë dhe numri rekord i fluturimeve të aeroplanëve luftarakë pranë ishullit, po të stresojnë gjithnjë e më shumë. Pekini gjithashtu i ka tërhequr tetë nga 22 vendet që e kanë e kanë njohur Tajvanin në mënyrë diplomatike, qëkur Partia Demokratike Progresive e Tsai Ing-wenit për herë të parë më 2016 e fitoi Presidencën e vendit. Megjithatë, Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike thotë se vitin e kaluar ishte niveli më i lartë i mbështetjes për Tajvanin – që nga viti 1971 kur e humbi vendin e vet në OKB. Para se të dilte pozitive me koronavirus, u tha se gjatë këtij muaji Nancy Pelosi do ta vizitojë vendin. Në rrezik nuk është vetëm e ardhmja e një demokracie, por edhe rënia globale e ekonomisë (për shkak të gjysmëpërçuesve, bota është shumë e varur nga Tajvani), rrezikimi i mundshëm i Japonisë (gjatë pesë vjetëve të ardhshme, Tokio synon t’i dyfishojë shpenzimet e saj për mbrojtjen), e ardhmja e kontrollit mbi linjat e transportit detar dhe përfundimisht statusi i fuqisë së Amerikës në Paqësor.

Forcat e armatosura të Tajvanit nuk mund të krahasohen me ato të Xisë. Është më i vështirë pushtimi i ishullit, por është më i lehtë izolimi i tij sesa i Ukrainës. Ndaj, duken të qarta mësimet nga kjo e fundit: shtojini përgatitjet dhe nxitini stërvitjet dhe armatosjen nga vendet tjera, me shpresën për ta shmangur pushtimin për aq kohë sa të jetë e mundur. Akti i Marrëdhënieve me Tajvanin i vitit 1979 thotë se Uashingtoni do t’i sigurojë armët e nevojshme për vetëmbrojtje. Pavarësisht nga rritja e dyshimeve nëse mund të llogaritet ndihma amerikane, kalimi nga “paqartësia strategjike” në qartësi – siç thonë disa – në lidhje me mbrojtjen që do t’i shkonte Tajvanit, do të shkaktonte reagim të madh nga Pekini dhe mund të mos i shtojë gjasat për vetëpërmbajtje. Por, Uashingtoni dhe të tjerët duhet që në mënyra tjera ta shtojnë mbështetjen për Tajvanin, duke i vlerësuar me kujdes opsionet më të mira.

Disa në Pekin kanë parashikuar se vendi lehtë mund të tërhiqet dhe të bindet, përmes një reagimi të kufizuar ndërkombëtar – supozime të shkaktuara nga rasti i Ukrainës. Por, reagimi perëndimor kundër Moskës mund t’i trimërojë ata që besojnë se pritja veçse do ta lejojë Tajvanin ta përmirësojë gatishmërinë për reagim dhe për t’i shtuar mbështetjet. Ata gjithashtu do të vënë në dukje se kërkesa për luftën është e fortë në Rusi dhe se Kina është shumë më e fuqishme për t’i bërë ballë presionit ekonomik. Mund të shtohet rreziku i ecjes nga gjumi drejt konfliktit – dhe Ukraina ka dëshmuar koston e tmerrshme të kësaj.

 

Exit mobile version