Telegrafi

Ukraina bllokon sërish gazin për Evropën

Ndërsa Evropa priti me gëzim lajmin se Rusia hapi rubinetat e gazit për të ngrohur kontinentin e vjetër, duket se situata është ndërlikuar sërish.

Gjiganti i energjisë ruse Gazprom bëri të ditur se vetëm pak orë pasi Moska vendosi të niste fluksin e dorëzimeve, Ukraina ka bllokuar rrugët e gazit duke lënë sërish thatë Evropën.

Kontradikta mes Moskës dhe Kievit është thelluar sërish, ndërsa dy korporatat respektive Gazprom dhe Nafotgaz akuzojnë njëra-tjetrën për ndalimin e furnizimit.

Zv/drejtori i Gazprom Aleksandër Medvedev tha se Ukraina ka vendosur të mos e kalojë gazin në perëndim, duke hedhur nëplehra marrveshjet e arritura.

Nga ana tjetër, kompania ukrainase Naftogaz është mbrojtur duke thënë se nuk mundet të pompojë gaz për Evropën, pasi Moska ka ndryshuar rrugët e kalimit të tij, akuzë kjo e hedhur poshtë nga Rusia.

Pavarësisht mosmarrveshjeve mesMoskës dhe Kievit, është Evropa ajo që po i vuan pasojat, ndërsa të paktën 15 shtetet evropiane janë në fund të rezervave të tyre. Komisioni evropian është ankuar për mungesën e furnizimit me gaz, ndërsa duhet pritur se ç’do të thotë tani që duket se fluksi i tij është ndërprerë sërish.