Site icon Telegrafi

“Ujku i Çeliktë”: FSK teston gatishmërinë e njësive në Babaj të Bokës

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë një vizitë në Poligonin Ushtarak në Babaj të Bokës, ku po zhvillohet ushtrimi fushor i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) i quajtur “Ujku i Çeliktë.”

Ai u shoqërua nga Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe Shefi i Stafit të SHP, gjeneral brigade Ilir Qeriqi.

Vizita përfshinte edhe një ndalesë në kampin në fshatin Deve, ku janë të dislokuara njësitë e FSK-së.

Në kamp, komandantët e FSK-së, përfshirë gjeneral brigade Hysen Dreshaj dhe nënkolonel Jaser Mulla, prezantuan progresin e ushtrimit dhe përgatitjet ushtarake.

Qëllimi i ushtrimit “Ujku i Çeliktë” është të vlerësojë kapacitetet e Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë dhe Togut të mbështetjes luftarake të Policisë Ushtarake, duke synuar të sigurojë gatishmërinë e tyre për përmbushjen e misionit të FSK-së./Telegrafi/

Exit mobile version