Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani ka folur pas pranimit të Kosovës në FIFA.
Djaloshi nga Vushtrria është i lidhur shumë me vendlindjen e tij, dhe këtë e tregoi dy vite më parë kur pranoi të luaj edhe në ndeshje miqësore.
Në një intervistë për Telegrafin, Ujkani i emocionuar ka folur për pranimin e Kosovës dhe të ardhmen e Përfaqësueses sonë.
“Synimi ynë kryesor është ta përfaqësojmë sa më mirë vendin tonë”, deklaroi Ujkani për Telegrafin.
“Do ta dërgojmë vendin tonë në Rusi në kampionatin botëror. Do ta bëjmë të madh flamurin tonë, do të na njohin të gjitha vendet e botës, do të ju bëjmë të ndiheni krenar me ne o populli ynë”, thotë Ujkani.
Ai ka një porosi për të gjitha vendet që e kanë votuar Kosovën në FIFA.
“Ato vende që na kanë votuar do t’ia kthejmë me futboll. Do t’i tregojmë se e duam futbollin, se dimë të luajmë futboll dhe se e kemi merituar këtë pranim”, shprehet tutje Ujkani.
“Shpresojë që tani t’iu hapen rruga lojtarëve të talentuar nga Kosova për të luajtur nëpër ligat e forta evropiane”, përfundoi kapiteni i Kosovës. /Telegrafi/