Përfaqësuesja e Kosovës po zhvillon përgatitjet e fundit para ndeshjes së rëndësishme me Suedinë në ‘Fadil Vokrri’.
Dardanët do t’a fillojnë rrugëtimin e kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katar 2022”, të dielën në ora 20:45.
Ky duel vjen pas fitores së thellë prej 4-0 në miqësoren ndaj Lituanisë, e cila i ka motivuar shumë djelmoshat e Përfaqësueses.
Para kësaj ndeshje me Suedinë ka folur edhe kapiteni, Samir Ujkani i cili në një intervistë për FFK-në tha se përgatitjet po shkojnë mirë dhe duhet ta luajnë lojën e tyre dhe të shpresojnë në rezultat pozitiv ndaj Suedisë.
“Përgatitjet po shkojnë mirë. E kemi pasë kohën pak vështirë, por krejt kanë punu me i pasë kushtet maksimale. Fitorja ndaj Lituanisë ka qenë miqësore dhe test i madh për neve me tregu veten që jemi gati për çdo lojë”.
“Suedia është në nivel të lartë. U kthy edhe Ibrahimovici i cili është top lojtar. Na duhet me vazhdu lojën tonë. Me perparu lojë për lojë edhe me jep maksimumin”.
“Shpresojmë një rezultat sa ma të mirë për ne. Kualiteti individual e kanë ma të mirë. Na duhet me lujt futbollin tonë edhe me shpresu në rezultat pozitiv”, tha Ujkani.
‘Gardiani’ i portës tonë gjatë këtij sezoni nuk është paraqitur asnjëherë në Serie A për klubin e tij, Torinon. /Telegrafi/