Telegrafi

Ujkani: Duhet të jemi të bashkuar për të pasur rezultat pozitiv

Pas përfundimit të stërvitjes së Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri” në prag të takimit ndaj Irlandës së Veriut, është deklaruar portieri Samir Ujkani, i cili është shprehur fillimisht falënderues për të gjithë tifozët që i dhanë mbështetje të madhe në ndeshjen e kaluar (ndaj Greqisë), derisa ka thënë se pret rezultat pozitiv në sfidën e radhës.

“Falënderoj shikuesit e pranishëm dhe Dardanët për përkrahjen e madhe në ndeshjen kundër Greqisë. Stadiumi ishte i mbushur, por rezultati nuk ishte pozitiv, por nuk kemi kohë të mendojmë më për atë rezultat, duhet të mendojmë për ndeshjen që e kemi të enjten dhe duhet të jemi të bashkuar për të pasur rezultat pozitiv”.

“Pas çdo humbjeje, sigurisht se atmosfera nuk është e mirë, por nuk kemi kohë për të menduar se çka ka ndodhur, por të jemi të gatshëm për ndeshjen që e luajmë të enjten”, ka thënë Ujkani.

(Foto: ffk-kosova.com)

Ai tutje ka theksuar se te Kosova nuk ka çfarë të ndryshohet, thjesht duhet hyrë në ndeshje me vetëbesim dhe të jepet maksimumi.

Lexo po ashtu Kosova rikthehet në stërvitje para ndeshjes ndaj Irlandës së Veriut

“Në lojën tonë nuk duhet të ndryshojë diçka, duhet vetëm të japim maksimumin të gjithë, ashtu siç e japim në çdo ndeshje. Meritat i marrim pas lojës, sepse rezultati gjithmonë të bën të ndihesh pozitiv. Ne duhet të luajmë për rezultat dhe shpresojmë se mund ta arrijmë të enjten një gjë të tillë.

“Për neve është krenari të jesh pjesë e Kosovës, sepse gjithmonë tifozët kanë qenë pas nesh. Vetëm të gjithë së bashku mund t’ia dalim të shënojmë fitore, pasi shpresat tona janë gjithnjë për ta fituar grupin”, ka shtuar Ujkani, i cili pritet të jetë në portë për shkak të kartonit të kuq të Arijanet Muric.