Portieri i përfaqësueses së Kosovës, Samir Ujkani, ka deklaruar në konferenën për shtyp para duelit ndaj Islandës se ekipi është përgatitur mjaft mirë për këtë takim.
Ujkani u pyet për ndeshjen ndaj Turqisë ku mbrojtja nuk ishte në nivel sipas gazetarëve të pranishëm.
Sipas portierit, shkaktar për këtë ishte njohja e ekipit dhe tash ai thotë se komunikimi është përmirësuar.
“Nuk ka qenë puna vetëm e mbrojtjes, ishte Turqia shumë e fortë atë ditë. Ata kanë qenë fantastik. Ne si ekip kemi provuar t’i ndalim sa më shumë. Besoj se duhet të jemi realist sepse Turqia ishte agresive dhe bëri shumë raste. Do të jetë ndryshendaj Islandës, do të jetë krejt lojë tjetër, do të jetë lojë me topa të gjatë, me duele fizike”, thekson Ujkani.
Ai potencon se ekipi është i përqëndruar dhe se do të japë maksimumin për rezultat pozitiv, transmeton Telegrafi.
“Jemi të përqëndruar si ekip dhe jam i bindur se do të japim maksimumin në këtë ndeshje për të nxjerrë një rezultat pozitiv”.
“Puna e komunikimit te ne është shumë më mirë tani. Normalisht se komunikimi rritet secilën ditë dhe jemi në rrugë të mbarë. Grupi po bëhet më i fortë. Duhet të jemi realist sepse po luajmë me kunërshtarë të nivelit të lartë, Islanda nuk është ekipë e vogël, por mjaft me përvojë dhe cilësi. Ne duhet të kemi vetëbesim, duhet të besojmë në atë që kemi studiuar dhe me pak fat shpresojmë të kemi sukses dhe të arrijmë rezultat pozitiv”, përfundoi Ujkani.
Kosova e pret Islandën në Loro Borici të premtën nga ora 20:45. /Telegrafi/