Telegrafi

Ujkan Bajra, në kundërshtim me ligjin, merr dy paga nga buxheti i Kosovës

Komisioni i themeluar me dekret të Presidentes Atifete Jahjaga ia ka propozuar asaj një kandidat për Auditor të Përgjithshëm, i cili bën shkelje ligjore duke marrë dy paga primare nga buxheti i Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Dëshmitë për marrjen e dy pagave të plota nga buxheti i Kosovës – si staf akademik në Universitetin e Pejës dhe si drejtor i auditimit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të kandidatit Ujkan Bajra, gazeta i ka siguruar nga lista e pagave të shërbyesve civilë për vitin 2014.

Bajra figuron si ligjërues në Universitetin Pejës me pagë bazë 792.8 euro në muaj dhe si drejtor në administratën qendrore në Agjencinë Kosovare të Privatizimit me pagë bazë prej 1.800 euro në muaj, përcjell koha.net. Në të njëjtën listë figuron edhe një rritje në pagën bazë nga muaji prill i vitit të kaluar kur paga e tij bazë si ligjërues në UP, arrin në 990.94 euro në muaj.

Ndërsa, për angazhimin e tij në AKP prej muajit gusht të vitit të kaluar figuron paga prej 2,855 euro në muaj.

Në të dyja pozitat ai paraqitet i angazhuar me orar të plotë prej 40 orë pune në javë dhe po ashtu figurojnë shtesat që ka marrë sipas punëve të kryera si zyrtar. /koha/