Site icon Telegrafi

Uji paguhet në Postë edhe në Prizren

Konsumatorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” që furnizon me ujë të pijshëm banorët e komunës së Prizrenit, Suharekës, Malishevës, Dragashit dhe Mamushes u është mundësuar që faturat e ujit t’i paguajnë në Postën e Kosovës, pa kurrfarë provizioni.

Kjo është arritur me marrëveshjen e nënshkruar sot nga Kryeshefi Ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” , Besim Baraliu.

“Marrëveshja paraqet një sukses për të dyja ndërmarrjet tona. Secili konsumator i Ujësjellësit ‘Hidroregjioni Jugor’ do të paguaj në zyra postare vetëm shumën në faturë të ujit, por nuk do të paguaj asnjë cent për shërbimin, ashtu siç nuk paguhet as për energji elektrike dhe mbeturina”, ka deklaruar Hoxha.

Menaxhmenti i të dyja ndërmarrjeve publike është i kënaqur që ka arritur të ofrojë një shërbim të ri të dobishëm për qytetarët. Në komunën dhe rajonin e Prizrenit, Posta ka një numër të konsiderueshëm të zyrave postare.

“Dua të siguroj qytetarët e Kosovës se Posta do të vazhdoj të ofroj shërbime sa më cilësorë, sa më të lira dhe sa më afër vendbanimeve të tyre. Në zyrat tona postare, në tërë Kosovën, mund të kryhen të gjitha llojet e pagesave, pa asnjë provizion, ose me provizion shumë të ultë”, ka thënë Hoxha. /Telegrafi/

Exit mobile version