Uji nga ujësjellësi i qytetit të Tetovës nuk është i pijshëm. Siç bën të ditur Meta, matjet që janë bërë këtë pasdite kanë treguar turbullim të madh të ujit, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Parametri i turbullimit ka qenë 60 njësi, edhe pse kufiri i lejuar i turbullimit është 1,6 njësi. Për dy orë turbullimi i ujit është zvogëluar dhe për momentin parametri i turbullimit të ujit në Tetovë është 16 njësi, që është dhjetëfish më i madh se ai i lejuar.
Nga Qendra për shëndet publik në Tetovë rekomandojnë që uji të mos shfrytëzohet për pije, deri sa të bëhen analiza të reja të cilat do të vërtetojnë se është i pijshëm. Prej atje presin që gjatë ditës të gjithë parametrat e ujit do të japin rezultate pozitive.
Nga Qendra për shëndet publik thonë se turbullimi i ujit vjen si rezultat i punëve ndërtimore të cilat realizohen në Qendrën turistike “Kodra e diellit”./Telegrafi/