Site icon Telegrafi

Ujëvara e ngrirë e Mirushës e xhiruar nga droni është një mrekulli e natyrës që nuk duhet humbur (Foto/Video)

Dimri erdhi dhe, sa herë vjen kjo stinë, mahnitemi se sa shpejtë dhe sa shumë ndryshon pamja e një vendi. Shembulli më i mirë për këtë janë ujëvarat. I njohim të jenë plotë jetë, të rrëmbyeshme dhe të zhurmshme, por kur dimri vjen ato ngrihen dhe gjithçka duket ndryshe…

“Ujëvarat e Mirushës” është Monument i Natyrës…

Ditë më parë, Ujëvara e Mirushës – që ndodhet në fshatin Llapçevë të Komunës së Malishevës – u bë lajm jo vetëm në mediat vendore, por edhe atyre të huaja, si AFP dhe CTV News. E gjithë kjo pasi ajo është ngrirë dhe ky fenomen i rrallë ofron një pamje unike, transmeton Telegrafi.

Bukuri e rrallë në 598.4 hektarë

Në këtë stinë e bukura shfaqet në ngjyrë të bardhë. Për ta shpërfaqur këtë bukuri, duhet të luftosh me ngricat, me temperaturat gjithmonë në zbritje, ditët e shkurta e rrugët të rrëshqitshme. Por, kjo nuk i ndalon njerëzit si Arton Krasniqi të eksplorojnë bukuritë e Kosovës dhe më pas ato t’ia shfaqin ato publikut, pasi jo të gjithë kanë mundësi t’i shijojnë nga afër.

Ujëvara e ngrirë e Mirushes…

Ujëvarat janë frymëzim për Artonin, i cili me dron na mundësoi ta shikojmë madhështinë e kësaj bukurie natyrore nga perspektivat të ndryshme e mahnitëse.

Zakonisht jemi mësuar të shikojmë ujëvara teksa rrjedhin, por jo shpesh kemi pasur mundësinë ta shikojmë atë të duket e ndalur në kohë. Kur kjo ndodh, uji i ngrirë nxjerrë forma akujsh të pazakontë, por spektakolare.

Të ftohtit që mbretëroi në Kosovë në këtë fillim janari nuk i rezistoi as rrjedha e Mirushës…

Jeta e një ujëvare të tillë, të ngrirë, është e shkurtë dhe një ngjarje e tillë e rrallë është atraksion për shumëkënd, sidomos për artistët e fotografisë.

Një qytetar duke shijuar format e mrekullueshme të akullit…

Ujëvara e Mirushës është park që paraqet me rëndësi të madhe për Kosovën. Sipas IUCN-it, zona i përket kategorisë ”Peizazh i mbrojtur”, kurse rrjedha e lumit Mirusha i përket kategorisë ”Monument natyror”.

Kanioni i Mirushës është një ndër zonat më interesante të natyrës së Kosovës

Në këtë park, lumi Mirusha – në pjesën e fundit të rrjedhës së tij – kalon nëpër një grykë që njihet si Kanjoni i lumit Mirusha. Këtu ai krijon 12 ujëvara dhe 16 liqene që paraqesin një fenomen të rrallë morfo‐ hidrologjik dhe një peizazh atraktiv për vizitorët.

E ngrirë, por e bukur… 

Ajo ka bukurinë e saj edhe në motin e ngrohtë, po aq sa në dimër. Ndaj, ju ftojmë ta shikoni videon e postuar më poshtë, për ta shijuar këtë mrekulli natyrore të Kosovëstë të xhiruar edhe gjatë verës. /Telegrafi/

Panoramë mahnitëse e Ujëvarës së Mirushës:

Exit mobile version