Site icon Telegrafi

Ujësjellësi “Prishtina”, paralajmëron shkyçje për borxhlinjtë e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit, Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Podujevë, Obiliq, Shtime, Drenas dhe Graçanicë, se aksioni për shkyçjen individuale të konsumatorëve borxhlinj nga shërbimet e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit për shkak të mos pagesave ndaj shërbimeve të ujit dhe kanalizimit, është duke vazhduar me intensitet të lartë si në qendra të qyteteve ashtu edhe në fshatra.

Në njoftimin e kësaj kompanie përmes rrjetit social Facebook, thuhet se shkyçjet individuale për konsumatorët borxhlinj kanë filluar në janar të këtij viti si vazhdimësi e vitit 2018.

“Në muajin janar 2019 janë realizuar 17 shkyçje individuale, në muajin shkurt 2019 janë realizuar 96 shkyçje individuale dhe në muajin mars 2019 janë realizuar 82 shkyçje individuale. Paralajmërojmë konsumatorët borxhlinj ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit se kanë obligim ligjor që të paguajnë faturat dhe borxhin e akumuluar”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version