Telegrafi

Ujësjellësi do t’ i rregullojë rrugët në “Velani”

Pasi që për prishjet nëpër rrugë është përkujdesur edhe ambasadori i Holandës Robert Bosch sot është vënë në lëvizje edhe vet udhëheqësi i Ujësjellësit “Prishtina” Gjelosh Vataj.

Vataj sot është takaur edhe me ambasadorin Bosch për të sqaruar situatën e krijuar, e po ashtu Ujësjellësi ka arritur marrëveshje me banorët e lagjes “Velania” për vazhdimin e punimeve në rrugën e dëmtuar qysh nga tetori i vitit të kaluar.

“Marrëveshja në mes të banorëve dhe KUR ‘Prishtina’ u arrit që të mbulohet me asfalt pjesa e dëmtuar përgjatë vendosjes së gypit magjistral nga rezervuari i Mirditës e deri te Dodona, dhe njëkohësisht ndërrimi i rrjetit në rrugë që kalon edhe nëpër disa oborre të tyre”, thuhet në komunikatën e Ujësjellësit.

Sipas kësaj komunikate banorët e lagjes ”Velania” u ndanë të kënaqur me përgjigjet dhe veprimet e Ujësjellësit ndaj kërkesave të tyre konkrete, duke e falënderuar në veçanti drejtorin teknik Ilir Abdullahu dhe të gjithë stafin e Ujësjellësit.

Ndërkaq ambasadori i Holandës Bosch falenderoi z. Vataj për veprimet e ndërmarra për rregullimin e rrugëve duke shtuar kështu në mënyrë direkte edhe pakënaqësitë e banorëve të kësaj lagje por edhe të të gjithë qytetarëve që kalojnë nëpër atë rrugë.