Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton sërish të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit se, liqenet akumuluese Batllava dhe Badoci kanë shënuar ngritje të konsiderueshme, sa që shumë shpejtë arritën edhe kuotën maksimale.
Ndërtimi i fabrikës së përpunimit të ujit në “Shkabaj” me kapacitet prodhues 700 l/s dhe ngritja maksimale e ujit në liqenet akumuluese e ndihmuan KRU “Prishtina”, që ti furnizojë me ujë të pijshëm konsumatorët e kryeqytetit dhe shtatë komunat e tjera, duke i eliminuar tërësisht reduktimet e ujit gjatë ditës dhe natës.
“Ua kujtojmë edhe njëherë se, jemi duke hyrë në sezonin e verës dhe menjëherë kanë filluar të rriten kërkesat për ujë të pijshëm në zonën e shërbimit”, theksohet në komunikatën e KRU “Prishtina”.
Lagjet e kryeqytetit që kanë filluar të ndjejnë mungesën e ujit të pijshëm janë: Lagjja “Nic”, Lagjja “Qëndresa”, Lagjja”Sofalia”, pika të larta të fshatit Hajvali (zonat që furnizohen me ujë nga sistemi i Badocit).
“Kapacitetet momentale prodhuese janë maksimale, shpërndarja e ujit nga ana jonë po bëhet në mënyrë të barabartë, por ka keqpërdorim të ujit nga persona të pandërgjegjshëm”.
Apelojmë sërish te Inspekcioni i Kuvendit Komunal të Prishtinës, përfshirë edhe inspekcionet e komunave të tjera në zonën e shërbimit, që të veprojnë si viteve paraprake, nxjerrjen e një urdhërese administrative për parandalimin e keqpërdorimit të ujit të pijshëm, në të cilën urdhëresë do të përcaktoheshin edhe gjobat për personat fizik dhe juridik që zihen në flagrancë duke e keqpërdorë ujin.
Ujë për pije, higjienë dhe nevoja të tjera elementare ka mjaftueshëm, por assesi për destinime tjera të paarsyeshme.
Shpenzimi racional i ujit të pijshëm në këtë periudhë është i domosdoshëm. /Telegrafi/