Site icon Telegrafi

Ujësjellësi i Bënçës, vepra hidroteknike e kohës së Ali Pashë Tepelenës me interes për turistët

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër ndau pamje një monument kulture i veçantë siç është Ujësjellësi i Bënçës, njohur ndryshe si akuadukti, fjalë që rrjedh nga latinishtja.

Ndodhet mbi lumin e Bënçës rreth 2 km në veri të fshatit me të njëjtin emër. Ujësjellësi është një vepër hidroteknike e shek. 19-të, e cila ka shërbyer për të çuar ujin në kalanë e Tepelenës.

Ky monument është ndërtuar gjatë periudhës së Ali Pashë Tepelenës. Ai ka pësuar një dëmtim të madh si shkak i një tërmeti në vitet ’30 të shek. 20 dhe është rindërtuar por në formën autentike të tij. Ujësjellesi u ndërtua pas ndërtimit të kalasë së Tepelenës.

Monumenti është në formën e një ure, e cila përbëhet nga kanali i ujit, këmbët e monumentit dhe ura mbi të cilën janë ngritur disa prej këmbëve të monumenti, në pjesën ku kalon lumi i Bënçës.

Kanali i ujit është ndërtuar me gurë të vegjël dhe beton dhe mbahet nga 21 këmbë ose kolona, të cilat po ashtu janë ndërtuar me gurë të vegjël të lidhur me llaç. Këto kolona kanë formë katrore dhe janë të lartësive të ndryshme, lartësi të cilën e marrin në varësi të pjerrësisë që merr kanali. Në pjesën ku kalon kanioni i lumit, këmbët e monumentit janë të ngritura mbi një urë. Ura është e ndërtuar me tre harqe. /Telegrafi/

Exit mobile version