Telegrafi

Ujërat e zeza paraqesin rrezik epidemie në lagjen Kalabria të Prishtinës (Video)

Në lagjen Kalabria të Prishtinës banorët po përballën nga rreziku i ndonjë epidemie, që mund të sjell lumi, i cili tashmë është bërë një deponi mbeturinash dhe rrjedhë ujërash të zeza.

Banorët thonë se në këtë lumë dikur kishte peshq, e sot nga mbeturinat rrezikohen nga ndonjë epidemi.

“Kjo vijë uji është shumë e ndyrë, personalisht e kam friken se këto do të përhapet ndonjë epidemi”, shprehet për RTV Dukagjinin Ibish Asllani, qytetar i lagjes Kalabria.

Ekologët thonë se është e padurueshme të jetohet pranë këtij lumi.

“Këtu është bërë jeta e padurueshme. Në lagjen Kalabria, përveç kanalizimit të hapur që kalon nëpër lagje, rriten insekte, sidomos mushkonjat, Pastaj, era kundërmon në vazhdimësi, sidomos kur temperaturat janë të larta”, shprehet Shyqri Dumani, ekolog.

Banori tjetër, Durmish Durmishi, hedh akuza ndaj institucioneve se nuk po mendojnë aspak për banorët, përcjell Telegrafi.

“Kush për popull nuk interesohet, vetëm për gjepa të veti mendojnë ata”, shprehet i moshuari.

Adonis Tahiri nga Komuna e Prishtinës thotë se palët janë në negociata për të zgjidhur një çështje pronësore, problem ky i cili ka bllokuar punimet për kolektorin e ujërave të zeza./Telegrafi/