Telegrafi

Me ujë të kristaltë dhe ambient magjepsës, këto janë tetë plazhet më përrallore të Shqipërisë

Bregdeti jugor i Shqipërisë, me fshatrat tradicionale, rrugët e shtruara me kalldrëme dhe i mbushur me kisha të vogla ortodokse, ka shumë plazhe të bukura të cilat karakterizohen nga ujërat e pastër dhe e sfidojnë Greqinë e afërt me çmime përgjysmë më lirë.

Në jug të Shqipërisë i keni edhe burimet natyrale afër Sarandës ose mund të shkoni t’i vizitoni brigjet e liqenit afër kufirit me Maqedoninë – Shqipëria ka shumë perla, transmeton Telegrafi.

Është thuajse e pamundur të krijohet një listë me të gjitha plazhet magjepsëse të Shqipërisë sepse ka plot të tilla, por të paktën më poshtë e keni një listë të shkurtë me disa prej plazheve më të njohura dhe më të bukura të cilat patjetër se duhet t’i vizitoni.

Drimades

Drimades mund të jetë plazhi më i bukur i Shqipërisë: një gji i vogël afër fshatit të Dhërmisë, ku një gur i madh e ndan plazhin me guralecë nga ai me rërë.  Drimades është vend i përsosur për ta vizituar nëse dëshironi të relaksoheni sepse plazhi nuk është i ngarkuar me turma njerëzish.

Në foto: Plazhi Drimades

Dhërmia

Afër Drimades mund ta gjeni Dhërminë, një nga plazhet më të njohura në Shqipëri, ku karakterizohet nga gurët e bardhë dhe ujërat e kaltër. Plazhi është një nga më të gjatit dhe, gjatë verës, nga më të ngarkuarit.

Në foto: Plazhi në fshatin e Dhërmisë, Shqipëri

Himara

Fshati i Himarës është një nga më të frekuentuarit në rivierën shqiptare, dhe nuk e ka humbur asnjëherë sharmin e vet. Ka shumë plazhe të bukura afër këtij vendit, siç është plazhi i Livadhit, i cili është i mbushur me pemë ulliri, gurë të bardhë dhe uji është i pastër si loti.

Në foto: Livadhi, plazh në fshatin e Himarës

Borshi

Plazhi më i madh në Shqipëri është Boshi, i cili gjithashtu karakterizohet nga uji i pastër, pemët e ullirit dhe, pavarësisht bukurisë që ka, është një nga plazhet më së paku të vizituara në vend.

Në foto: Borshi

Saranda

Qyteti bregdetar i Sarandës konsiderohet si kryeqyteti jozyrtar i Rivierës Shqiptare. Është një nga vendet më të preferuara për turistët, dhe kjo për shumë arsye: qyteti është afër kufirit me Greqinë, para ishullit të Korfuzit, dhe ka shumë plazhe të bukura, si Pulëbardha i cili rrethohet vetëm nga natyra dhe ujërat përrallor.

Në foto: Plazhi Pulëbardha, Sarandë

Ksamili

Në jug të Sarandës e keni Ksamilin, një nga destinacionet më të mira në Shqipëri. Ksamili ndryshe quhet edhe si “perla e Jonit” për shkak të bukurisë që ka. Ksamili karakterizohet me tre ishuj të vogël në të cilët mund të shkoni duke notuar ose me anije dhe uji është tejet i pastër.

Rekomandohet që Ksamili të mos vizitohet gjatë muajit gusht sepse është tejet i ngarkuar.

Në foto: Ksamili përrallor

Gjipe

I fshehur thellë në male, Gjipeja është plazhi më i përsosur për ata që kërkojnë qetësi dhe relaksim. Përse? Sepse plazhi është shumë larg rrugës kryesore dhe për të shkuar aty nevojitet një ecje 30-minutëshe, përveç nëse posedoni ndonjë xhip off-road.

Në foto: Plazhi Gjipe, ku nuk mund të shkoni me vetura të rregullta, por duhet të bëni një ecje 30-minutëshe

Syri i Kaltër

Teknikisht Syri i Kaltër nuk është plazh, por burim natyral. Sidoqoftë, kjo nuk ka rëndësi: ky vend magjeps është vendi i përsosur për të notuar dhe një nga peizazhet më të bukura natyrale në shtet. Gjendet në rrugën mes Sarandës dhe Gjirokastrës dhe padyshim se ia vlen të vizitohet. /Telegrafi/

Në foto: Syri i Kaltër